Policia e Kosovës është duke e ruajtur kompleksin e Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit që nga mesdita e 19 dhjetorit, kur institucionet e Kosovës e morën nën administrim këtë kompleks. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se pronësia është e padiskutueshme dhe se investimi i Serbisë në të ka qenë i jashtëligjshëm. Banorët e Banjskës thonë se marrja nën menaxhim e këtij kompleksi është veprimi i radhës i institucioneve të Kosovës kundër tyre.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, pasi prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës. Kompleksi është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq.