Ambasada amerikane në Prishtinë përgëzoi qytetarët e Kosovës, që në mënyrë paqësore, të dielën votuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Shtetet e Bashkuara thonë se tani duhet t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera, që të numërojnë votat.
“Inkurajuese të shohësh që shumë qytetarë të Kosovës votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që të jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, tha ambasada amerikane në një postim në rrjetin social Facebook.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, dalja ishte mbi 46 për qind. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1.794.862 qytetarë.
Në 38 komunat e Kosovës, qytetarët mundën të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotimet.
Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.
Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut.
Në këto zgjedhjet është thënë se do të lejohet votimi vetëm me dokumente të Kosovës. KQZ-ja po ashtu ka lejuar të votojnë edhe qytetarët, të cilët kanë pasur letërnjoftim me afat të skaduar.
*Për të gjitha zhvillimet rreth zgjedhjeve në Kosovë, mund të informoheni përmes LIVE BLOG-ut tonë.