Gjykata e Apelit të Kosovës ka konfirmuar se rasti i aktivistëve të Vetëvendosjes, të dënuar nga Gjykata Themelore për sulmin në Kuvend, është kthyer në rigjykim.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka përcjellë me interes raportimet e mediave, pas publikimit të komunikatës së djeshme lidhur më ndërprerjen e masës së paraburgimit për të akuzuarit A.A.,F.K. dhe E.H. Për shkak të interesit të madh të mjeteve të informimit dhe për të mos u krijuar konfuzione të pa nevojshme, Gjykata e Apelit njofton, se ky rast është kthyer në rivendosje. Në këtë fazë gjykata është duke e përpiluar vendimin më shkrim, në të cilin i cili do të jepen edhe arsyet” thuhet në njoftimin e gjykatës.
Dje Apeli vendosi që t’ua ndërpresë masën e paraburgimit Egzon Halitit, Frashër Krasniqit dhe Atdhe Arifi.
Derisa në nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 21 vjet burg aktivistët Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti.