Trump nuk sheh “dallime të mëdha” me Iranin, por shenja përçarjeje shfaqen në Teheran
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit do të vazhdojnë gjatë fundjavës dhe se ai nuk beson se ka “dallime të mëdha” mes palëve në konflikt, edhe mes shenjave për një përçarje të mundshme në mesin e udhëheqësve iranianë.
“Një ditë e madhe [sot]. Do të shohim si do të përfundojë e gjitha, por duhet të jetë mirë, disa diskutime shumë të mira”, u tha Trump gazetarëve në Phoenix, Arizona, më 17 prill.
“Bisedimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë gjatë fundjavës, dhe shumë gjëra të mira po ndodhin. Kjo përfshin edhe Libanin”, shtoi ai.
Ai nuk specifikoi një afat kohor për bisedimet dhe nëse negociatat do të përfshinin takime ballë për ballë apo mesazhe të shkëmbyera përmes ndërmjetësve pakistanezë.
CNN, duke cituar burime iraniane, raportoi se delegacionet do të mbërrinin në Islamabad gjatë fundjavës dhe se bisedimet zyrtare do të rifillonin më 20 prill. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi atë raport.
Më 11-12 prill, nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një delegacion në bisedime me zyrtarë të lartë iranianë në Islamabad. Ato bisedime u ndërprenë pa marrëveshje dhe me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin.
Në komentet e tij të 17 prillit, Trump hodhi poshtë sugjerimin se mosmarrëveshje të mëdha mbeten në negociata.
“Nuk mendoj se ka shumë dallime të rëndësishme”, tha ai. “Nëse ka, unë do ta rregulloj”.
Sa i përket kohës sa do të ishte i gatshëm të mbante një bllokadë të porteve iraniane të lidhura me bisedimet, Trump tha se ajo do të hiqej menjëherë sapo të arrihej një marrëveshje.
“Kur marrëveshja të nënshkruhet, bllokada përfundon”, tha ai.
Axios citoi Trump të ketë thënë: “Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje brenda një ose dy ditësh”.
Megjithatë, Trump u tha gazetarëve vonë më 17 prill se ai mund të mos e zgjasë armëpushimin pas skadimit më 22 prill.
“Ndoshta nuk do ta zgjas, por bllokada do të mbetet”, tha ai.
Statusi i NgushticësNjë çështje e debatueshme — statusi i Ngushticës së Hormuzit — duket se po afrohet drejt një zgjidhjeje të mundshme, megjithëse disa mosmarrëveshje mbeten mes shenjave për një përçarje të mundshme në udhëheqjen iraniane.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Teherani e ka hapur ngushticën për trafikun tregtar detar për pjesën e mbetur të armëpushimit 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, ndërsa Trump falënderoi udhëheqjen iraniane për këtë veprim si një hap që ndihmon procesin e paqes.
“Irani është pajtuar që të mos e mbyllë më kurrë Ngushticën e Hormuzit. Ajo nuk do të përdoret më si armë kundër Botës!”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Megjithatë, zyrtarë në Teheran më vonë thanë se Irani do ta mbyllte sërish ngushticën nëse bllokada amerikane ndaj porteve të tij nuk hiqej, duke krijuar ndoshta një përballje të re.
“Me vazhdimin e bllokadës, Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbetet e hapur”, shkroi në X kryetari i fuqishëm i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, pas kritikave ndaj vendimit dhe vetë Araqchit nga media të linjës së ashpër të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Qalibaf ka udhëhequr delegacionin iranian në negociatat me Uashingtonin dhe nga shumëkush shihet si fuqia reale pas regjimit iranian.
Ngushtica, e cila çon në Gjirin Persik dhe që përbënte rrugën për 20 për qind të dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm para nisjes së luftës, kishte qenë efektivisht e mbyllur për trafikun për shkak të sulmeve të Teheranit ndaj objektivave në gjithë Lindjen e Mesme.
Ky veprim çoi në rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe tronditi ekonominë globale. Por çmimet e naftës ranë ndjeshëm dhe çmimet e aksioneve u rritën në tregjet botërore më 17 prill pas njoftimit për rihapjen.
Fati i uraniumit të pasuruarPresidenti amerikan më 17 prill përsëriti sugjerimin e tij se Teherani ka rënë dakord të heqë dorë nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar — i cili, i pasuruar në një nivel të caktuar, mund të përdoret në armë bërthamore.
Disa paqartësi mbetën mbi atë se për çfarë materiali saktësisht po fliste Trump. Teherani mohoi se kishte rënë dakord të hiqte dorë nga furnizimi i tij, duke thënë: “Uraniumi i pasuruar i Iranit nuk do të transferohet askund”.
“Transferimi i uraniumit të pasuruar të Iranit në SHBA nuk është ngritur kurrë në negociata”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei.
Reuters citoi Trump të ketë folur për “pluhur bërthamor” dhe tha se ai do të merrej “shumë shpejt”.
Raporti shtoi se përmendja e “pluhurit bërthamor” nga Trump ishte një referencë ndaj asaj që ai beson se ka mbetur pasi SHBA-ja dhe Izraeli bombarduan instalimet bërthamore të Iranit në qershor 2025, megjithëse Trump herë pas here i është referuar uraniumit të pasuruar si “pluhur bërthamor”.
Më vonë, gjatë një fjalimi para konferencës së grupit ultrakonservator Turning Point USA në Phoenix, Trump gjithashtu iu referua “pluhurit bërthamor”.
“Dikush tha, si do ta marrim pluhurin bërthamor? Do ta marrim duke hyrë në Iran, me shumë ekskavatorë”, tha Trump. “Por do të hyjmë bashkë me Iranin. Do ta marrim. Do ta sjellim në SHBA shumë shpejt”.
Ai shtoi se nuk do të ketë shkëmbim parash në një marrëveshje me Iranin. Disa raportime mediatike kishin sugjeruar se SHBA-ja do të lironte asetet e ngrira iraniane në këmbim të të drejtës për të marrë kontrollin e uraniumit të pasuruar të Teheranit.
Me raportim nga Alex Raufoglu i REL-it në Uashington dhe Reuters