Në mesin e dy personave të arrestuar të premten për vrasjen e një gruaje në Prishtinë është edhe bashkëshorti i viktimës, konfirmoi ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën vonë në rrugën "Dalip Alshiqi" në kryeqytet.
Fillimisht, Policia njoftoi se pas hetimit të vendit të ngjarjes, i ka kapur dy të dyshuar për vrasjen e saj, pa dhënë hollësi të tjera.
Ministrja Haxhiu konfirmoi më vonë në një postim në rrjetin social Facebook se është arrestuar edhe burri i viktimës, nën dyshimin se është i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes dhe fshehjen e krimit.
“Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”, tha Haxhiu.
Ajo tha se e vlerëson lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë “për sqarimin e rrethanave që shpunë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës”.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, nënvizoi ajo.
Në një komunikatë shtesë të premten mbrëma, Policia tha se ka kryer bastisje në dy lokacione në Gjakovë, gjatë të cilave i arrestoi të dyshuarit dhe e sekuestroi "armën e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast".
"Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës".
Policia tha se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor dhe se "ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore".
"Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast", thuhet në komunikatë.