Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e presidentit rus, Vladimir Putin.
Wallace tha se forcat ruse, që janë angazhuar në pushtimin e Ukrainës, janë “rraskapitur” tashmë nga rezistenca e forcave lokale.
Ai tha se ushtria ruse po përballet me probleme logjistike dhe ka pësuar mijëra humbje në 13 ditët e para të pushtimit.
Wallace shtoi se është “detyrë e pamundur” të pushtosh një vend me 44 milionë banorë.
“Ky do të jetë fundi i Putinit dhe kështu duhet të jetë”, tha Wallace për BBC-në.
Sipas tij, Putin është tashmë “një forcë e shpenzuar” në botën e gjerë, sepse komuniteti ndërkombëtar ka konstatuar se pushtimi i Ukrainës dhe katastrofa humanitare që ai ka shkaktuar, “janë të papranueshme”.
Sanksionet ndërkombëtare, të vendosura ndaj Rusisë, “po e zvogëlojnë ekonominë e tij në zero” dhe Putin “është përgjegjës për këtë”, tha Wallace.
Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Putin ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.