Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të martën për krijimin e një komiteti ndërministror për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.
"Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet tjera të NATO-s... në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik", tha Rama, duke iu referuar rritjes së furishme të çmimeve të produkteve bazë.
Çmimet kanë qenë në rritje edhe më parë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, por kanë vazhduar të rriten edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.
Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë.
Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës, tash e sa muaj përballet me krizë energjetike.
Duke e vlerësuar energjinë si “palcën e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik”, Rama tha se kriza energjetike po thellohet “jo çdo muaj, por çdo ditë”.
“Shqipëria është drejtpërdrejt e prekur si vendet e tjera”, tha ai.
“Çmimi i naftës nuk varet nga Qeveria, nuk është Qeveria në tregun e lirë... që ngre çmime apo që ul çmime të mallrave të konsumit. Është tregu dhe tregu është super i ndjeshëm”, shtoi Rama në konferencën për gazetarë.
Ai bëri thirrje për “përgatitje për çdo skenar” me komitetin e ri ndërministror, “përfshirë edhe situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë”.
Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Shqipëria është rreshtuar me shtetet e NATO-s në përkrahje të Ukrainës dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Për këtë qëndrim të Shqipërisë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar Ramën gjatë një bisede telefonike në fundjavë.
Rusia, ndërkaq, e ka futur Shqipërinë në listën e “shteteve jomiqësore”.