Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për 12 viktima të reja nga sëmundja COVID-19, si dhe 520 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri. Sipas raportit, janë regjistruar edhe 372 persona që kanë fituar betejën më virusin vdekjeprurës. Të dhënat i referohen testimit të 3,023 mostrave në laboratorët shtetëror dhe privat.
Viktimat janë; 4 në Shkup, nga 2 në Strugë dhe Ohër kurse nga 1 janë regjistruar në Dibër, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Kërçovë.
Deri më tani me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar 87,117 persona, prej tyre 2,647 kanë humbur jetën, 68,364 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 16,106 persona.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se në mbledhjen e ditës së martë Qeveria ka miratuar propozimin programin për imunizimin e detyrueshëm të popullsisë për 2021. Ai përmban një plan për sigurimin e nevojave vjetore për vaksina për imunizim të detyrueshëm dhe vaksina sipas indikacioneve epidemiologjike.
Programi përfshin grupmoshat që duhet ti nënshtrohen vaksinimit individual, llojin e vaksinave dhe kalendarin për imunizimin, për çka janë ndarë rreth 13 milionë euro.
Vaksinat e parë sipas paralajmërimeve të qeverisë pritet të arrijnë në fillimin të muajit shkurt. Në Maqedoninë e Veriu deri më 21 janar mbeten në fuqi masat shtrënguese për mbrojtje nga përhapja e virusit, që ndalojnë grumbullimin e më shumë katër personave pas orës 18.00 ndërsa pas kësaj ore ndalohet puna e të gjitha objekteve të gastronomisë dhe lokaleve tjera.