Së paku 15 afganë të vdekur nga ikja në rrëmujë
Mijëra njerëz ishin mbledhur në stadiumin pranë Konsullatës së Pakistanit, për të siguruar kuponë për viza.
Sohrab Qaderi, anëtar i këshillit të kryeqytetit provincial Xhalalabad, ku të martën ka ndodhur incidenti, tha se në mesin e viktimave, 11 janë gra.
Zyrtarët thanë se mbi 3,000 afganë ishin mbledhur në stadium, për të siguruar kuponët e nevojshëm për vizë, për të udhëtuar në Pakistan.
Pakistani e ka kufizuar numrin e vizave për afganët në fillim të këtij viti, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Zyrtarët në Ambasadën e Pakistanit nuk e kanë komentuar ende incidentin.
Shumica e afganëve udhëtojnë në Pakistan për trajtim mjekësor.