Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit nga 1,507 teste të kryera janë regjistruar 140 rast të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, si dhe katër të vdekur, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Viktimat janë nga Shkupi (64 vjeç), Tetova (73 vjeç), Gostivari (63 vjeç) dhe Prilepi (71 vjeç). Rastet e reja që kanë përfunduar me fatalitet e çojnë në 646 numrin e personave që kanë vdekur me COVID-19.
Sa i përket të infektuarve, numri më i madh i tyre është regjistruar në Shkup, gjithsej 43, ndërsa numër më i vogël i të infektuarve është shënuar në 22 qytete tjera.
Në mesin e të infektuarve është edhe një punonjëse e një kopshti në Manastir. Për pasojë, kopshti është mbyllur ndërsa pesë fëmijë dhe pesë punonjësve janë futur në izolim.
Kopshtet në Maqedoninë e Veriut kanë nisur me punë të mërkurën, më 9 shtator, nën protokolle të rrepta. Drejtuesit e institucioneve kanë njoftuar se pas dezinfektimit, kopshti do të rinisë me punën të hënën.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i ka bërë thirrje drejtuesve të kopshteve për kujdes dhe raportim të çdo rasti që dyshohet se ka simptoma të sëmundjes COVID-19.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Maqedoninë e Veriut edhe 134 pacientë janë shëruar, shumica pre të cilëve janë nga Shkupi.
Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë testuar 164,639 persona dhe 15,694 janë diagnostikuar me COVID-19. Prej tyre, 13,128 janë shëruar ndërsa aktivë janë 1,920 persona.