Gjykata britanike refuzon kërkesën e Assange-it për shtyrje të seancës për ekstradim
Assange është paraqitur para Gjykatës në Uestminster më 21 tetor, duke thënë se i duhet më shumë kohë për ta përgatitur rastin e tij kundër kërkesës për ekstradim në Shtetet e Bashkuara, ku është i akuzuar për konspiracion, përkatësisht hakim të kompjuterëve të qeverisë amerikane dhe shkelje të ligjit për spiunim.
Pasi australiani 48-vjeçar dhe ekipi i tij ligjor kanë dështuar të bindin gjyqtaren, Vanessa Baraitser se shtyrja është e nevojshme, Assange ka thënë se ky rast nuk është “i drejtë”.
Assange ka thënë se qeveria amerikane ka “burime të pakufizuara” derisa ai nuk ka qasje të lehtë te avokatët e tij apo dokumentet që duhet t’i përgatisë për betejën e tij ligjore kundër ekstradimit.
Ish-Sekretari britanik për Punë të Brendshme, Sajid Javid ka nënshkruar një urdhër në qershor të këtij viti, duke lejuar ekstradimin e tij.
Autoritetet amerikane akuzojnë Assange-in për bashkëpunimin me analisten për inteligjencë ushtarake, Chelsea Manning për thyerje të fjalëkalimeve në mënyrë që të ketë qasje në kompjuterët qeveritarë me informacione të klasifikuara.