Përfaqësues të lartë të partisë, Lista Serbe janë takuar të premten në Mitrovicën e Veriut me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Sipas një njoftimi të Listës Serbe thuhet se kryetari i partisë, Goran Rakiq dhe nënkryetari, Igor Simiq, gjatë takimit, kanë diskutuar nevojën e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e autoriteteve në Prishtinë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu, të ulen tensionet dhe të hapet rruga për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës njofton se Rakiq e ka njoftuar ambasadorin amerikan me situatën politike dhe ekonomike si dhe ka theksuar nevojën e gjetjes së një zgjidhje kompromisi në mënyrë që t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik për të gjithë qytetarët.
“Në takim u pajtuam se askush nuk ka të drejtë të ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të rrezikojë paqen e qytetarëve dhe kushdo që e bën këtë duhet të marrë përgjegjësitë”, thuhet në njoftim.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, tha se biseda më përfaqësuesit serb ka qenë e frytshme dhe se “serbët e Kosovës meritojnë përfaqësues të cilët marrin pjesë në mënyrë aktive në institucione për të mbrojtur të drejtat e tyre”.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicën e Veriut, ambasadori amerikan ka vizituar edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut. Sipas një komunikate të policisë, Kosnett ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës amerikane ndaj Policisë së Kosovës dhe drejtorive rajonale, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Qëndrimi i ambasadorit amerikan në Mitrovicën e Veriut vjen një ditë pasi vizitoi Graçanicën, një komunë tjetër e banuar me shumicë serbe.
Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane në Prishtinë, aty ambasadori Philip Kosnett bëri thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përkitazi me Kosovën e Serbinë, së voni qeveria ime ka shpenzuar shumë kohë në përpjekje për ti bindur udhëheqësit e Kosovës për ta pezulluar taksën mbi mallrat serbe dhe për ti bindur Kosovën e Serbinë për t’ju kthyer dialogut. E di se procesi ka shkaktuar ankth për të ardhmen, por besojmë se është çasti i duhur për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimisht për ti normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan gjatë qëndrimit në Graçanicë.
Ai poashtu ka bërë thirrje për pajtim dhe tolerancë midis komuniteteve në Kosovë.
“Më herët gjatë kësaj jave shënuam 20 vjetorin e operacionit të NATO-s.Nuk i dërguam amerikanët për të luftuar dhe vdekur për Shqipërinë e Madhe apo Serbinë e Madhe apo për ti vënë në shenjë popullin e cilitdo komunitet. Ndërhymë për të ndalur një katastrofë humanitare dhe për ti mbrojtur civilët”, ka thënë ambasadori amerikan.