Forcat që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, që luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në lindje të Sirisë, raportohet se kanë avancuar në zonën e fundit që ekstremistët kanë nën kontroll.
Forcat Demokratike Siriane (SDF) thanë sot se kanë avancuar në dy fronte në Baghouz, në provincën Deir el-Zour.
Zana Amedi nga Forcat Demokratike Siriane tha për agjencinë Associated Press se “një forcë aktive tokësore” po avancon në territoret e kontrolluara nga IS-i, ndërsa ekstremistët po sulmojnë me snajperë dhe me mina tokësore.
AP raporton se dy helikopterë të koalicionit që udhëhiqet nga SHBA-ja, janë parë të kenë fluturuar mbi këtë zonë ku po zhvillohen luftimet. Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar dhe qielli është mbuluar nga tym i zi, që duket të jetë shkaktuar nga një sulm ajror i koalicionit.
SDF më 1 mars rinisi operacionet ushtarake për të çliruar territoret e fundit të kontrolluara nga IS-i në Deir el-Zour, pasi u evakuuan mijëra civilë dhe pengje, që kishin qenë në këtë zonë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump më 28 shkurt deklaroi se IS-i ka humbur “100 për qind” territorin që dikur kontrollonte në Siri, por zyrtarët vlerësojnë se në Siri gjenden qindra militantë që kontrollojë pjesë të vogla të territorit në Baghouz.