Qindra qytetarë u mblodhën para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, për të kërkuar lirimin e gjeneralit të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi për rastin "Drenica 2".
Sipas organizatorëve të protestës, Selimi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në burg duke mos sjellë asnjë vendim të ri tash e një kohë.
Avokati mbrojtës, Tomë Gashi, para protestuesve tha se mbajtja në paraburgim për 5 vite pa asnjë vendim gjyqësor është e kundërligjshme.
"Fillimisht janë dënuar në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme, pa asnjë provë kredibile dhe vetëm për të plotësuar dëshirën e dikujt. Pas të gjithë ankesave që ne kemi bërë, Gjykata Supreme e ka anuluar krejtësisht, qysh më 11 qershor të këtij viti, aktgjykimin e Sylejman Selimit, Jahir Demakut dhe të tjerëve dhe ka urdhëruar që rasti të kthehet në rigjykim dhe rivendosje", tha Gashi.
Më 24 maj 2013, gjeneral Sylejman Selimi ishte arrestuar dhe më vonë u shpall fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai u dënua me 6 vjet burg.
Në qershor të këtij viti të gjithë të akuzuarit që njihen si Drenica 1 dhe Drenica dy janë kthyer në rigjykim.
Organizatorët e protestës, veteranët e luftës së ish-UÇK-së dhe organizatat tjera, paralajmëruan se nëse nuk do të ndërmerren masa nga institucionet, protestat do të vazhdojnë përsëri.
Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish komandantët e UÇK-së të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetar komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë.