Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paçaku sot ka ndërruar jetë. Paçaku ka qenë përfaqësues i komunitetit rom në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeparlamentari Kadri Veseli. Kreu i Kuvendit ka kërkuar në seancën e sotme një minutë heshtje për nder të ish-deputetit.
“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e Kujtim Paçakut, deputet shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti rom. Me angazhimin e tij të sinqertë politik, me kulturën e pasur prej poeti që posedonte, Kujtimi ishte zëri më autentik i qytetarëve romë të Kosovës dhe na ka nderuar të gjithëve. Ngushëllime familjes së tij, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë pjestarëve të komunitetit rom në vendin tonë”, tha Veseli.
Kujtim Paçaku me profesion ishte gazetar. Së fundmi ai ishte shpallur ambasador i paqes në një konferencë për kulturë dhe paqe në Ballkan.