Pjesëtarët e Policisë së Kosovës që morën pjesë në arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do të hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Hetimet kanë filluar pas ankesës që e ka bërë në inspektorat zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq.
Nisjen e grumbullimit të informacioneve e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.
“Pas ankesës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme ka nisur grumbullimi i informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale të zyrtarëve policor”, ka thënë Beka.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të hetohen lidhur më dyshimet për tejkalim të përdorimit të forcës ditën kur u arrestua Marko Gjuriq.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të ndërmerren veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në konsultim me prokurorin kompetent.
Marko Gjuriq u arrestua me 26 mars të këtij viti në Mitrovicën Veriore. Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kryen arrestimin pasi atij paraprakisht ju kishte refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.
Pas arrestimi, Gjuriq u soll në Prishtinë ku pas qëndrimit rreth njëorësh, ai u deportua për në Serbi.
Arrestimi i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, nxiti rritjen e tensioneve mes Prishtinës e Beogradit.