Trump kërcënon vendet që kundërshtojnë vendimin e tij për Jerusalemin
“Të gjitha këto kombe që marrin paratë tona dhe më pas votojnë kundër nesh në Këshillin e Sigurimit, potencialisht më vonë mund të votojnë kundër nesh edhe në asamble”, ka thënë Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Ata marrin miliona dollarë, ndoshta edhe miliarda dhe më pas votojnë kundër nesh”.
“Le të votojnë kundër nesh. Do të kursejmë shumë para. Nuk na intereson”, ka shtuar ai.
Asambleja e Përgjithshme pritet të mbajë një mbledhje emergjente gjatë ditës së sotme, pas kërkesës së shteteve arabe dhe atyre myslimane lidhur me vendimin e Trumpit për Jerusalemin.
I dërguari i Autoritetit Palestinez në OKB, Riyad Mansur, ka thënë se 193 vende do të votojnë për rezolutën, duke i kërkuar presidentit Trump ta tërheqë njohjen.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, ka paralajmëruar përmes një postimi në Twitter, se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend se kush do të votojë kundër, duke thënë se ai ishte vendimi i popullit amerikan për Jerusalemin.
“Më 21 dhjetor do të votohet për të kritikuar zgjedhjen tonë. Shtetet e Bashkuara do të mbajnë shënim për këtë”, ka thënë ajo.
Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytetin e tyre në të ardhmen.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor duke e deklaruar si kryeqytet, një hap që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.