Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias
Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, apo 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.
“Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thanë Reporterët pa Kufij.
Vitin e kaluar, Kosova shënoi regresin më të madh në indeksin e lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij duke u radhitur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete – rënia më e madhe në 15 vjet në indeksin vjetor të lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.
“Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media [KPM], ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, u tha në pjesën për Kosovën të raportit të Reporterëve pa Kufij.
Sipas Reporterëve pa Kufij, edhe pse mediat arritën të mbanin përgjegjës politikanët, gazetarët “vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike”.
Si është gjendja e lirisë së medias në Ballkanin Perëndimor?Pavarësisht përparimit të shënuar, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk qëndron më së miri sa i përket lirisë së shtypit.
Mali i Zi renditet në vendin e 41-të (nga 37 sa ishte vitin e kaluar) në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45-të (ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të), Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83-të (vitin e kaluar ishte në vendin e 80-të), Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90-të (vitin e kaluar ishte në pozitën e 86-të) dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104-ta (vitin e kaluar ishte në vendin e 96-të).
“Edhe pse Shqipëria [që ka shënuar rënie prej tre pozitash], Bosnjë e Hercegovina [minus katër pozita] dhe Serbia [që ka rënë për tetë vende] aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, që të tri shtetet janë armiqësore ndaj gazetarisë dhe të cenueshme ndaj propagandës”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.
Sipas Reporterëve pa Kufij, ky rajon gjithnjë e më shumë i ngjan një eksperimenti të gjerë, ku vlerat përmbysen dhe legjislacioni përdoret për t’iu shërbyer atyre që janë në pushtet, në dëm të së drejtës për informim.
Në indeksin e organizatës, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea.