SHBA-ja dhe Britania kërkojnë shpjegime nga Moska për rastin Skripal
"Presidenti Trump u dakordua me kryeministren May se Qeveria e Federatës Ruse duhet të ofrojë përgjigje të qarta sa i përket asaj se si kjo armë kimike, e zhvilluar në Rusi, është përdorur në Mbretërinë e Bashkuar", tha Shtëpia e Bardhë pas bisedës telefonike midis Trumpit dhe Mayt.
"Dy udhëheqësit janë pajtuar edhe për nevojën e pasojave për ata që i përdorin këto armë të tmerrshme, duke i shkelur në mënyrë flagrante normat ndërkombëtare", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Më herët, Trump u ka thënë gazetarëve se Uashingtoni do të dënojë "Rusinë ose këdo" që qëndron pas helmimit të Skripalit dhe të vajzës së tij në qytetin Sallsbëri.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mohoi se Moska qëndron prapa këtij rasti dhe refuzoi kërkesën e Londrës për shpjegim në lidhje me incidentin.