Komuna e Prishtinës largon ekspozitën për masakrat në Kosovë, kërkohet llogaridhënie për pasaktësitë
Komuna e Prishtinës i ka larguar nga sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës disa tabela me përmbajtje që është thënë se kanë pasur pasaktësi lidhur me masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 1998 -’99.
Përmbajtja ka qenë pjesë e ekspozitës së organizuar nga organizatat joqeveritare, INTEGRA dhe ADOMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës dhe e ka pezulluar lejen për prezantimin e saj në mbrëmjen e 27 marsit.
“Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kuvendi i Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por e respekton të drejtën autoriale dhe krijuese pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla.
“Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”, është thënë në reagimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se do t’i adresojë tek organizatorët shqetësimet e ngritura.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti e ka dënuar përmbajtjen e ekspozitës, si dhe ka bërë thirrje për verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.
“Në të njëjtën kohë, ftoj institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje. E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet”, ka thënë Hoti përmes një postimi në Facebook.
Ekspozita është prezantuar në javën e shënimit të 27-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.
Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.
Edhe pasi ka kaluar gjithë kjo kohë, Kosova vazhdon të mos e ketë një regjistër publik shtetëror të të gjitha llojeve të krimeve dhe dëmeve që ka lënë mbrapa lufta.
Çfarë thanë organizatorët?Shkëlzen Gashi ka thënë në emër të organizatave ADOMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut.
“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999… Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona”, është thënë në postimin e Gashit në Facebook.
Vetë ai ka thënë se përveç mospërputhjeve për Dubravë, njëjtë ka ndodhur edhe me të dhënat për masakrat në Reçak, Kotlinë, Kaçanik, Mejë, e të tjera.
"Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur", ka shkruar mes tjerash Gashi.
Mirëpo, Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se të dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë që krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por "me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave".
“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes”, ka thënë Fondi, duke përmendur se gabime të ngjashme janë bërë edhe për masakrat tjera.
“Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”, është thënë në reagimin e Fondit në Facebook, përmes së cilit është bërë thirrje për heqjen e ekspozitës nga hapësirat publike.
Dokumentimi i krimeve dhe dëmeve të shkaktuara në luftëLufta e viteve 1998-’99 në Kosovë, i ka lënë rreth 13.000 njerëz të vrarë, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.
Zyrtarë të Kosovës kanë deklaruar në të kaluarën se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës shkon në 22 miliardë euro.
Kriminologia Furtuna Sheremeti i pati thënë Radios Evropa e Lirë më parë se, për të pasur një pasqyrë të qartë të së kaluarës, fillimisht duhet të adresohen të gjitha krimet që kanë ndodhur, e pastaj të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara.
“Mosdokumentimi i krimeve, e aq më pak i dëmeve, ka ndikim të madh, për shkak se na ka vendosur në rrezik të humbasim kujtimet primare të luftës. Përtej kësaj, ka shumë viktima të luftës që kanë vdekur pa iu adresuar dëmi i shkaktuar e pa iu njohur asnjëherë nevojat e tyre”, ka thënë Sheremeti, studimet e së cilës janë fokusuar në vlerësimin e dëmeve të luftës.
Krahas nismave tjera paraprake, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi edhe Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Ndëshkimi i krimeve të luftësPrej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000, deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendëse.