Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministres Hajdari për rezervat shtetërore
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe tre personave të tjerë, lidhur me dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjykata ka i refuzuar si “të pabazuara” kërkesat e avokatëve të të pandehurve lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjes poshtë të aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Gjykimi për këtë rast nisi në fillim të vitit, kur më 13 janar u mbajt seanca fillestare. Kjo seancë u mbajt pasi një paraprake kishte dështuar të zhvillohej, pasi Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë, duke pretenduar se nuk i ishte dërguar ftesë. Ky pretendim i saj u kundërshtua nga gjykata, që tha se ftesën ia kishte dërguar Hajdarit përmes postës.
Aktakuza për dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore ndaj Hajdarit dhe tre të akuzuarve të tjerë u ngrit më 11 nëntor 2025.
Ish-ministrja Hajdari, aktualisht deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe dy zyrtarë të MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej rreth 3 milionë eurove gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, afaristi Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
*Video nga arkivi: Nisja e gjykimit për rastin e rezervave shtetërore
Ngritjen e aktakuzës, Hajdari kishte deklaruar se një veprim i tillë ishte “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Lidhur me dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore, më 2023 tre persona u arrestuan, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Po atë vit, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, - që është ftuar nga Prokuroria si dëshmitar për këtë rast, por deri më tani nuk ka shkuar për të dhënë dëshmi - i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.