Irani nuk mund të marrë pjesë në Kupën e Botës, thotë ministri i Sportit
Irani nuk mund të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 pasi bashkorganizatorët, Shtetet e Bashkuara, i nisën bombardimet kundër këtij vendi së bashku me Izraelin, duke vrarë liderin, ajatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën ministri i Sportit, Ahmad Donyamali.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit gati dy javë më parë, duke vrarë udhëheqësin suprem të Republikës Islamike dhe duke nxitur konflikt në gjithë rajonin e Gjirit.
“Duke pasur parasysh se ky regjim i korruptuar ka vrarë liderin tonë, në asnjë rrethanë nuk mund të marrim pjesë në Kupën e Botës”, i tha ministri televizionit shtetëror.
Kupa e Botës do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.
“Fëmijët tanë nuk janë të sigurt dhe, në thelb, nuk ka kushte për pjesëmarrje”, tha Donyamali.
“Duke pasur parasysh veprimet keqdashëse që kanë kryer kundër Iranit, ata na kanë detyruar në dy luftëra gjatë tetë ose nëntë muajve dhe kanë vrarë e martirizuar mijëra njerëz tanë. Prandaj, natyrisht që nuk mund të jemi të pranishëm”, shtoi ai.
Në shortin e hedhur dhjetorin e kaluar, Irani ishte në grup me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re.
Që të tri ndeshjet e Grupit G ishin planifikuar të zhvilloheshin në Shtetet e Bashkuara, dy në Los Anxhelos dhe një në Sietëll.
Irani ishte i vetmi vend që mungoi në samitin e planifikimit të FIFA-s për pjesëmarrësit e Kupës së Botës, i mbajtur javën e kaluar në Atlanta.