Добавить новость


World News in Albanian


Новости сегодня

Новости от TheMoneytizer

“Duhet t’i bëj krejt vetë”: Nga puna në punë, gratë bartin edhe barrën e kujdesit shtëpiak

Në orën 16:30 përfundon orarin e punës. Rreth orës 17:30 duhet ta shërbejë darkën e iftarit në tavolinë.
Atë që përjeton në mes, Jetmirë Rashiti e përshkruan vetëm si stres.
“Nganjëherë edhe bëhem pak nervoz se duhet t’i bëj krejt vetë dhe nganjëherë nuk i arrij të gjitha”, thotë 38-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve.
Ajo ka gjetur një zgjidhje: darkën e bën gati një natë më përpara dhe pastaj ngutet t'i mënjanojë kolonat për të arritur në kohë në shtëpi, që ta ngrohë sërish ushqimin e parapërgatitur.
“Mysafirët po i ftoj vetëm në fundjavë, se gjatë ditëve të javës s’kam se si të bëj gati gjithçka”, shton Jetmira, banore e Fushë Kosovës.
Kështu, çdo ditë, kur përfundon orarin e punës dhe darkën, Jetmira duhet të nisë një tjetër orar: atë si “kuzhiniere” e familjes së saj, që duhet të planifikojë një meny ushqimi që mund të rrijë një ditë në frigorifer pa u prishur.
Edhe fundjavat nuk i ka krejt të qeta: pastro shtëpinë, përgatit ushqim disa-pjatësh, prit mysafirë, pastaj pastro sërish të gjitha enët.
Këtë barrë të kujdesit dhe punëve të shtëpisë e bartin dukshëm më shumë gratë sesa burrat kudo në Kosovë.

Sipas aktivistes feministe Neri Ferizi, ndonëse kjo është dukuri globale, në Kosovë ajo përforcohet nga norma të forta shoqërore dhe kulturore që vazhdojnë ta lidhin rolin e gruas kryesisht me familjen dhe kujdesin për të tjerët.
“Që në moshë të hershme, vajzat socializohen të ndihmojnë në punët e shtëpisë, ndërsa djemtë shpesh përjashtohen nga këto përgjegjësi”, thotë Ferizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, mungesa e shërbimeve publike, si çerdhet, kujdesi për të moshuarit apo politikat fleksibile të punës, e shton këtë barrë mbi gratë.
“Familjet mbështeten në punën e papaguar të grave, ndërsa shoqëria shpesh e romantizon këtë si ‘sakrificë’ dhe ‘përkushtim’, në vend që ta trajtojë si punë që duhet të ndahet në mënyrë të barabartë”, thotë ajo.
Një studim i vitit 2022 i Institutit Musine Kokalari në Prishtinë gjeti se puna e papaguar e kujdesit shtëpiak në Kosovë arrin vlerën prej mbi 1.8 miliard eurosh.
Sipas këtij raporti, një grua në Kosovë shpenzon mesatarisht 6 orë e 20 minuta në ditë - pak më pak se një orar i plotë pune - duke kryer punët e shtëpisë dhe duke u përkujdesur për familjarë.
Burrat shpenzojnë pothuajse gjysmën e kësaj kohe në punë shtëpiake dhe kujdes - rreth 3.5 orë.

Por, për këtë ndarje të punëve nuk ka shumë revoltë.
Ferizi thotë se fakti që edhe shumë gra pajtohen me idenë se disa punë janë “natyrshëm” punë të grave, nuk duhet parë thjesht si zgjedhje personale.
Sipas saj, kjo është pasojë e normave shoqërore të rrënjosura për një kohë të gjatë.
“Kur një shoqëri vazhdimisht të mëson se kujdesi për familjen është përgjegjësi e grave, është e pritshme që edhe vetë gratë ta internalizojnë këtë rol”, thotë ajo.

Ferizi shton se kjo nuk është vetëm çështje e marrëveshjeve brenda familjeve, por një problem më i gjerë strukturor.
“Nuk është thjesht zgjedhje individuale. Është rezultat i socializimit afatgjatë dhe i mungesës së alternativave reale”, thekson ajo.

Përveç Jetmirës, Radio Evropa e Lirë bisedoi edhe me disa gra të tjera dhe asnjëra nuk e vuri theksin te mungesa e përkrahjes nga partnerët e tyre në kryerjen e këtyre punëve.
Shumica, me një buzëqeshje, treguan se si arrijnë t’i kryejnë të gjitha punët që u dalin përpara.
Përveç Jetmirës, vetëm edhe një tjetër u ankua për barrën mbi supe.
“Në punë deri vonë... edhe kur po mbërrij në shtëpi, fëmijët e vegjël s’më lënë ta bëj iftarin. Kiametin po e shoh”, tha Agimja, e cila s’deshi ta tregonte mbiemrin.
Asnjëra prej grave me të cilat bisedoi REL-i, nuk ka qenë e punësuar në Komunën e Fushë Kosovës.
Ky institucion, në fillim të muajit të Ramazanit më 19 shkurt, mori vendim që të gjitha gratë e punësuara aty, të lirohen një orë më herët nga puna, në orën 15:00, “për të respektuar angazhimet familjare” gjatë këtij muaji.
Vendimi u kritikua nga aktiviste feministe në Kosovë për shkak të asaj që e cilësuan si përforcim të bindjes se punët e shtëpisë janë punë të grave.
Ferizi thotë se, ndonëse në shikim të parë mund të duket si masë mbështetëse, ajo rrezikon t'i përforcojë rolet tradicionale gjinore.
“Në momentin që institucionet supozojnë se gratë duhet të shkojnë më herët në shtëpi për t’u kujdesur për iftarin apo punët e shtëpisë, ato - në mënyrë të tërthortë - konfirmojnë se këto janë përgjegjësi të grave”, thotë ajo.
Sipas saj, politika të tilla mund ta normalizojnë ndarjen e pabarabartë të punëve në familje.
“Politikat publike duhet t'i mbështesin të gjithë personat me përgjegjësi kujdesi, jo vetëm gratë. Përndryshe, ne vetëm po e institucionalizojmë stereotipin”, thotë Ferizi.

E pyetur nga REL-i për këtë vendim, Komuna e Fushë Kosovës tha se ai ka ardhur si rezultat i diskutimeve të brendshme dhe vlerësimit të nevojave të stafit.
“[Vendimi] është marrë si një masë lehtësuese për të punësuarat, duke marrë parasysh angazhimet e tyre të shumta familjare dhe sociale gjatë këtij muaji”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Në përgjigje thuhet, po ashtu, se vendimi është pritur pozitivisht nga stafi, pasi që është parë si “mbështetje dhe mirëkuptim ndaj rolit të tyre të dyfishtë, si në punë ashtu edhe në familje”.
Në një deklaratë të mëhershme për REL-in, ish-drejtorja e programit në Institutin Musine Kokalari, Marigonë Drevinja, kishte treguar se ishte befasuar nga besimi i të anketuarve se përfshirja e burrave në këto punë, është vetëm ndihmë për gratë.
“Askush nuk ka thënë se si ato janë punë të shtëpisë dhe duhet që të dy të kujdesen për to. Rezultati ka qenë që shumica konsiderojnë se ato janë punë të grave dhe që burrat ndihmojnë. Në momentin që ndihmon, atëherë burri është një lloj heroi brenda shtëpisë”, kishte thënë Drevinja.
Ferizi thotë se pabarazia në ndarjen e punës së kujdesit ka pasoja të drejtpërdrejta në jetën e grave.

Ajo thekson se shumë gra detyrohen të reduktojnë angazhimin në tregun e punës, për shkak të përgjegjësive familjare.
“Kur një grua bart pothuajse e vetme barrën e kujdesit për familjen, është shumë më e vështirë të investojë në karrierë, të avancojë profesionalisht apo të mbajë stabilitet financiar”, thotë Ferizi.
Sipas saj, kjo krijon edhe atë që shpesh quhet “barrë e dyfishtë”.
“Gratë, jo vetëm që punojnë në punë të paguar, por pas orarit vazhdojnë me një turn të dytë punësh në shtëpi - pa pagesë dhe shpesh pa u njohur si punë”, shton ajo.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga tremujori i fundit i vitit 2024, vetëm 21.8 për qind e grave në Kosovë në moshë pune ishin të punësuara, në krahasim me mbi 55 për qind të burrave.
Një raport i vitit 2024 i Rrjetit të Grave të Kosovës tregonte se si burrat, edhe gratë ndihen të mbingarkuara nga puna në shtëpi - gjë që i shtyn të mos jenë aktivë në tregun e punës.
Por, për gratë, arsyeja e dytë më e shpeshtë është kujdesi për familjarë, në krahasim me burrat që kanë dhënë si arsye studimet akademike.

Derisa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, Ferizi thotë se ndryshimi kërkon veprim në disa nivele njëkohësisht.
Sipas saj, ndarja më e barabartë e punëve duhet të fillojë brenda familjeve, por duhet të mbështetet edhe nga politikat publike dhe nga diskursi shoqëror.
“Duhet të largohemi nga romantizimi i sakrificës së grave dhe të flasim për partneritet dhe barazi në familje”, thotë ajo.
Investimet në shërbime publike të kujdesit janë thelbësore për këtë ndryshim, sipas saj.
“Kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit nuk është vetëm çështje private e grave - është përgjegjësi shoqërore”, përfundon Ferizi.

Читайте на сайте


Smi24.net — ежеминутные новости с ежедневным архивом. Только у нас — все главные новости дня без политической цензуры. Абсолютно все точки зрения, трезвая аналитика, цивилизованные споры и обсуждения без взаимных обвинений и оскорблений. Помните, что не у всех точка зрения совпадает с Вашей. Уважайте мнение других, даже если Вы отстаиваете свой взгляд и свою позицию. Мы не навязываем Вам своё видение, мы даём Вам срез событий дня без цензуры и без купюр. Новости, какие они есть —онлайн с поминутным архивом по всем городам и регионам России, Украины, Белоруссии и Абхазии. Smi24.net — живые новости в живом эфире! Быстрый поиск от Smi24.net — это не только возможность первым узнать, но и преимущество сообщить срочные новости мгновенно на любом языке мира и быть услышанным тут же. В любую минуту Вы можете добавить свою новость - здесь.




Новости от наших партнёров в Вашем городе

Ria.city
Музыкальные новости
Новости России
Экология в России и мире
Спорт в России и мире
Moscow.media










Топ новостей на этот час

Rss.plus