Nathan Sales: Suksesi në Iran do të matet nga ritmi i rënies së sulmeve iraniane
Objektivat e Uashingtonit në luftën me Iranin janë ushtarake dhe politike, duke përfshirë neutralizimin e kërcënimit që Teherani paraqet për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, si dhe krijimin e kushteve për ndryshim politik brenda vendit, sipas Nathan Sales, ish-ambasador i SHBA-së i ngarkuar për luftë kundër terrorizmit, i cili tani është bashkëpunëtor në programet për Lindjen e Mesme në Këshillin Atlantik.
Sales tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se një tregues kyç afatshkurtër i suksesit do të jetë se sa shpejt do të fillojë të ulet intensiteti i sulmeve të Iranit. Sipas tij, diçka e tillë do të tregonte se fushata amerikane po e dobëson aftësinë e Iranit për t'i vazhduar sulmet.
“Unë mendoj se operacionet për t'i goditur shërbimet e sigurisë janë gjithashtu të rëndësishme, sepse ata janë elementët e regjimit që do të përpiqeshin të shtypnin çdo kryengritje të ardhshme nga populli iranian për të rikthyer demokracinë dhe lirinë në vendin e tyre.”
Ambasadori Sales paralajmëroi gjithashtu se lufta mund të krijojë kërcënime sigurie edhe përtej Lindjes së Mesme.
Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruanit objektivin e Shteteve të Bashkuara në këtë fazë të luftës me Iranin?
Nathan Sales: Janë dy objektiva: njëri lidhet me sigurinë dhe një tjetër lidhet me të ardhmen e Iranit.
Sa i përket sigurisë, mendoj se qëllimi i Uashingtonit është të neutralizojë kërcënimin që Republika Islamike paraqet për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët dhe partnerët në rajon. Kjo është arsyeja pse po shihni fokus te raketat balistike, te mbështetja e regjimit iranian për grupet terroriste përmes ndërmjetësve të tij dhe te programi bërthamor i regjimit iranian.
Mendoj se qëllimi i presidentit [amerikan, Donald Trump] është t'i dobësojë dhe të shkatërrojë këto kapacitete, në mënyrë që amerikanët në rajon dhe partnerët tanë atje të mos kërcënohen më nga dhuna e regjimit iranian.
Por, ekziston edhe një objektiv politik. Presidenti ka folur për faktin se momenti i çlirimit po afrohet për popullin iranian që ka vuajtur për një kohë të gjatë. Për 47 vjet populli ka qenë viktima e Republikës Islamike. Ata janë viktimat e para dhe më jetëgjata të regjimit të mullahëve në Teheran.
Mendoj se aktiviteti ushtarak ka për qëllim të dobësojë themelet e Republikës Islamike dhe të krijojë hapësira, të krijojë mundësi që populli i Iranit të rimarrë qeverinë e vet dhe të krijojë një sistem që është demokratik dhe që respekton të drejtat e tyre të njeriut.
Radio Evropa e Lirë: A kanë ndryshuar këto objektiva që nga fillimi i luftës më 28 shkurt?
Nathan Sales: Nuk mendoj kështu. Kanë kaluar vetëm rreth katër ditë që nga fillimi i operacioneve luftarake. Prandaj mendoj se mesazhet që vijnë nga Shtëpia e Bardhë kanë qenë të qëndrueshme gjatë këtyre ditëve. Objektivat e menjëhershme janë kryesisht ushtarake - raketat balistike, terrorizmi dhe armët bërthamore - ndërsa ekzistojnë edhe qëllime afatgjata, që janë të mundësohet që populli iranian të rimarrë qeverinë e vet dhe të vendosë liri dhe demokraci.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Irani mund të godasë ende objekte amerikane në rajon, partnerët në Gjirin Persik dhe infrastrukturë të rëndësishme energjetike, si do ta matnin Shtetet e Bashkuara suksesin?
Nathan Sales: Mendoj se suksesi në afat të shkurtër do të matet nga ritmi me të cilin forcat e armatosura iraniane do të vazhdojnë t'i terrorizojnë fqinjët e tyre, përfshirë objektet dhe forcat amerikane në rajon.
Kemi parë një përdorim vërtet tronditës të forcës ushtarake kundër infrastrukturës civile në Bahrejn, në Katar, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Oman, në Jordani dhe në Izrael. Lista vazhdon.
Ajo që duam të shohim është që numri i këtyre sulmeve të fillojë të bjerë gradualisht. Kjo do të ishte dëshmi se lufta ajrore po arrin t'i identifikojë dhe godasë lëshuesit e raketave balistike dhe rezervat e raketave, si dhe objektet që lidhen me dronët dhe që mund të përdoren për t’i lëshuar ato.
Mendoj se ky është një tregues kyç i suksesit në afat të shkurtër: sa shpejt mund të dobësohen këto kapacitete iraniane.
Radio Evropa e Lirë: Nëse pozicioni ushtarak i Iranit dobësohet, cila duhet të jetë, sipas jush, faza e ardhshme e politikës amerikane?
Nathan Sales: Mendoj se faza fillestare e operacionit ishte projektuar për të eliminuar udhëheqjen civile dhe ushtarake të regjimit, si dhe për të neutralizuar mbrojtjen ajrore të tij.
Kush ishte Ajatollah Ali Khamenei?
Pasi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët të arrijnë epërsinë ajrore – dhe mendoj se janë shumë pranë arritjes së saj – atëherë fokusi do të zhvendoset te eliminimi i raketave balistike, dronëve dhe armëve të tjera që Irani po përdor për të sulmuar objektet amerikane dhe infrastrukturën civile në rajon.
Po ashtu, kanë filluar të dalin raportime se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë filluar të godasin shërbimet e sigurisë që ishin përgjegjëse për masakrimin e mijëra protestuesve paqësorë në janar të këtij viti. Kjo është e rëndësishme për disa arsye.
Presidenti kishte vendosur një vijë të kuqe dhe kishte paralajmëruar regjimin që të mos e masakronte popullin e vet. Ata e injoruan këtë paralajmërim dhe vazhduan gjithsesi. Prandaj këto veprime përfaqësojnë një formë përgjegjësie dhe zbatimi të asaj vije të kuqe.
Por, mendoj se operacionet që synojnë shërbimet e sigurisë janë gjithashtu të rëndësishme sepse ata janë elementët e regjimit që do të përpiqeshin të shtypnin çdo kryengritje të mundshme të ardhshme të popullit iranian për të rikthyer demokracinë dhe lirinë në vendin e tyre. Nëse Shtetet e Bashkuara, në afat të shkurtër dhe të mesëm, arrijnë t’i dobësojnë këta mekanizma represioni, kjo do ta ndihmojë popullin iranian ndërsa përpiqet të rimarrë vendin e vet dhe të rivendosë një qeveri që u përgjigjet qytetarëve dhe respekton të drejtat e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Cili është, sipas jush, rreziku kryesor nëse kjo luftë zgjat më shumë?
Nathan Sales: Çdo luftë ka rreziqe. Por, është gjithashtu e vërtetë se edhe mosveprimi bart rreziqe. Mendoj se ekzistojnë disa rreziqe të menjëhershme, dhe njëri prej tyre është rreziku i viktimave në mesin e forcave amerikane dhe të forcave partnere. Tashmë kemi parë raportime se gjashtë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në Kuvajt. Kjo është tragjike. Populli amerikan nderon sakrificën e tyre dhe vajton humbjen e tyre. Fatkeqësisht, në luftime të tilla ka viktima dhe duhet të jemi realistë se mund të ketë tragjedi dhe humbje të tjera ndërsa lufta vazhdon.
Një tjetër rrezik që Uashingtoni do të duhet ta mbajë nën vëzhgim është mundësia që shërbimet e sigurisë në Iran të përpiqen të mbahen në pushtet dhe të refuzojnë të pranojnë realitetin dhe të dorëzojnë pushtetin te civilët ose te një autoritet kalimtar.
Mendoj se ky rrezik mund të menaxhohet në dy mënyra. Siç përmenda më parë, njëra është ushtrimi i presionit ushtarak ndaj mekanizmave të represionit.
Gjithashtu është e nevojshme të identifikohen dhe të shfrytëzohen ndarjet dhe përçarjet brenda shërbimeve të sigurisë. Duhet parë nëse ka pragmatistë ose persona më pak ideologjikë në pozita autoriteti, të cilët mund të jenë të hapur për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe me popullin iranian për të lehtësuar një tranzicion drejt një shteti të ardhshëm demokratik. Kjo është një punë e vështirë. Është shumë e vështirë të identifikohen njerëz që janë të besueshëm, që kanë autoritet dhe kredibilitet brenda sistemit iranian, dhe njëkohësisht janë të gatshëm të punojnë me popullin iranian drejt demokracisë.
Por kjo është një mënyrë për të menaxhuar rrezikun që figura të regjimit të përpiqen të mbeten në pushtet dhe të tërheqin vendin me vete ndërsa regjimi mund të jetë duke u shembur.
Radio Evropa e Lirë: Sa e rëndësishme është mbështetja e aleatëve në këtë konflikt nëse ai zgjatet dhe bëhet më i vështirë për t’u kontrolluar?
Nathan Sales: Mendoj se mbështetja e aleatëve është jashtëzakonisht e rëndësishme. Do ta nisja duke thënë se aleati ynë më i rëndësishëm në këtë përpjekje është vetë populli iranian.
Populli iranian është ai që do të jetë në terren dhe që do të jetë përgjegjës për rrëzimin e diktaturës së Republikës Islamike që i ka qeverisur për 47 vjet, dhe për zëvendësimin e saj me një demokraci që respekton lirinë dhe të drejtat e njeriut. Ky është aleati më i rëndësishëm që mund të shpresojë kushdo.
Përtej kësaj, Shtetet e Bashkuara do të përfitonin edhe nga kontributi i aleatëve evropianë, të cilët gjithashtu përballen me kërcënimin e një Irani bërthamor, të një Irani që mbështet terrorizmin, apo të një Irani që ka raketa balistike që mund të arrijnë deri në Evropë.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë mbështetje nga partnerët dhe aleatët tanë në Gjirin Persik, të cilët, ndërkohë që flasim, janë nën sulm nga regjimi iranian. Mendoj se do të ishte e vlefshme që këto vende të rrisnin kontributin e tyre ushtarak në këtë përpjekje, jo si një favor për Shtetet e Bashkuara, por thjesht si një çështje interesi kombëtar.
Nëse një fqinj po ju sulmon, nuk mund ta lejoni të vazhdojë pa pasoja. Duhet të veproni për ta ndaluar dhe për të mbrojtur popullin tuaj.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë lloj mbështetjeje nga aleatët ka më shumë rëndësi në praktikë?
Nathan Sales: Është e vështirë për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje nga pozicioni ku ndodhem, si një vëzhgues nga anash i zhvillimeve.
Di që është raportuar se Katari ka rrëzuar disa bombardues iranianë që kërcënonin hapësirën ajrore të tij. Prandaj, misione të tilla për ruajtjen e epërsisë ajrore do të ishin të vlefshme.
Po ashtu, sulmet ndaj infrastrukturës iraniane që përdoret për të goditur partnerët tanë në Gjirin Persik – qoftë baza ajrore, objekte për dronë, baza të raketave balistike apo të tjera – do të mund të ishin kontribute të rëndësishme në përpjekjen e luftës.
Por, pika më e rëndësishme që dua të theksoj është se një ndihmë e tillë nuk do të ishte një favor për Shtetet e Bashkuara. Ajo do të ishte një investim nga aleatët tanë arabë të Gjirit në sigurinë e tyre dhe në mbrojtjen e qytetarëve të tyre.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, a mund të krijojë ky konflikt kërcënime sigurie edhe jashtë Lindjes së Mesme, përfshirë në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara?
Nathan Sales: Ky është një shqetësim shumë real dhe lidhet me faktin se Irani prej kohësh është konsideruar sponsori më i madh shtetëror i terrorizmit në botë. Irani ka financuar, trajnuar dhe furnizuar me armë një sërë grupesh terroriste, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën.
Grupet si Hezbollahu - i shpallur terrorist nga SHBA-ja - kanë kryer sulme terroriste në Evropë, në Amerikën e Jugut dhe madje edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nga fundi i viteve 1990, vlerësohet se rreth 130 operativë të Hezbollahut janë arrestuar në SHBA. Nuk e dimë sa prej tyre mund të jenë aktualisht në terren ndërsa lufta me Iranin po zhvillohet.
Por duhet të supozojmë se disa mund të jenë dhe duhet të ndërmarrim masa për të zbuluar dhe parandaluar çdo kërcënim që ata mund të paraqesin. Prandaj rreziku global nga terrorizmi i mbështetur nga Irani është një shqetësim serioz dhe duhet të jetë në fokus të politikëbërësve në mbarë botën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë lloj kërcënimesh do të ndiqnit më nga afër?
Nathan Sales: Ka dy lloje kërcënimesh për të cilat duhet të shqetësohemi. I pari janë kërcënimet nga terroristë që janë në një farë mënyre të lidhur zyrtarisht me Republikën Islamike. Ndoshta ata punojnë për Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) ose për Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit.
Kategoria tjetër e kërcënimeve për të cilat duhet të shqetësohemi janë individët që veprojnë në mënyrë të pavarur. Ata nuk kanë një lidhje formale me Hezbollahun apo me ndonjë grup tjetër të mbështetur nga Irani, por janë simpatizantë dhe duan t’i marrin gjërat në duart e tyre duke kryer një sulm terrorist.
Mund të kemi parë një shembull të tillë disa ditë më parë në Austin, në shtetin e Teksasit, ku një person i armatosur qëlloi disa njerëz në rrugët e qytetit.
Ai duket se kishte veshur një bluzë me flamurin e Iranit dhe mund të jetë frymëzuar nga simpatia për regjimin iranian për të kryer këtë akt dhune. Prandaj duhet të shqetësohemi për të dyja llojet e kërcënimeve.