Sveçla e akuzon ish-shefin e BIA-s serbe për deklarata kërcënuese kundër Kosovës
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka kritikuar të mërkurën ish-shefin e shërbimit sekret të Serbisë, Aleksandar Vulin, për deklarata “të papranueshme dhe thellësisht kërcënuese” ndaj vendit të tij dhe kryeministrit Albin Kurti.
Në një video të shpërndarë në Facebook nga Sveçla, Vulin më sa duket bën thirrje që Serbia të veprojë kundër Kosovës njëlloj siç kishte vepruar agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, në Iran, duke thënë “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”.
Më pas, ai thotë se inteligjenca serbe duhet të përpilojë plan për t’u marrë me “bartësit e politikave kundër Serbisë”, duke e përmendur me emër kryeministrin e Kosovës, Kurti.
Sveçla tha se imponimi i një analogjie nga një konflikt me luftë të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me kryeministrin e Kosovës, “nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”.
Vulin ka shërbyer për disa vite si ministër i Mbrojtjes i Serbisë dhe pastaj shef i BIA-s.
Në vitin 2025, ai gjeti punë të re në një shoqatë të udhëhequr nga kreu i inteligjencës së Rusisë.
Vulin ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe për shkak të veprimtarisë së vet është njeri i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.
Ministri kosovar tha më tej të mërkurën se Vulin e përdori një “precedent të rrezikshëm” kur tha se inteligjenca serbe “di si ta bëjë këtë, sepse e kemi bërë më parë”.
Sveçla shtoi se “historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka”, të cilët ishin vrarë më 1982 në Gjermani.
Sveçla tregoi gjithashtu se në mes të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i arrestuan dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, të cilët, sipas tij, ishin futur në Kosovë jashtëligjshëm të kamufluar, pasi kishin qëndruar në Serbi paraprakisht.
Rasti i tyre është duke u shqyrtuar, shtoi ai.
“Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”, theksoi Sveçla.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë marrëdhënie shumë të tensionuara, posaçërisht nga viti 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në një fshat të Zveçanit në veri të vendit, duke lënë një rreshter të vrarë.
Vendi u trondit edhe nga një shpërthim një vit më vonë, kur kanali jetik i ujit, Ibër-Lepenci, u dëmtua rëndë në veri.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për të dyja incidentet, por Beogradi ka mohuar të ketë pasur gisht në to.