Kosova mbështet sulmet amerikane kundër Iranit, kërkon kujdes të shtuar nga shtetasit e saj në Lindjen e Mesme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Reagimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur sulme në disa qytete të Iranit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.
Presidenti Trump i ka konfirmuar sulmet dhe është zotuar se do të eliminohet "kërcënimi nga regjimi iranian".
Për më shumë hollësi rreth zhvillimeve në Iran, ndiqeni blogun tonë këtu:
Osmani ka thënë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Osmani i ka dënuar sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve në Lindjen e Mesme, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë t'i mbështesë veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë një shans përfundimtar lirisë dhe paqes.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë të shtunën se mbështet sulmet e SHBA-së kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin iranian si shtypës dhe destabilizues për rajonin.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë që jetojnë dhe punojnë në vendet e Lindjes së Mesme që të kenë vëmendje të shtuar dhe t’i zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore.
Për raste urgjente, MPJD i ka vënë në dispozicion këta numra kontaktues:
+972 586 340450 për Izrael+971 547092109 për Emirate+966 53 750 88 35 për Arabinë Saudite, Kuvajtin, Bahreinin dhe Omanin+974 5055 9453 për KatarPresidenti Trump ka thënë se sulmet kanë qenë të pashmangshme pasi autoritetet iraniane nuk kanë dashur të arrijnë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor dhe atë të raketave.
“Ka qenë gjithmonë politikë e Shteteve të Bashkuara, sidomos e administratës sime, se ky regjim terrorist nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore. Po e them sërish, ata nuk mund të kenë kurrë armë bërthamore”.
Ai e ka përmendur operacionin ushtarak amerikan të qershorit të vitit të kaluar “Çekani i Mesnatës” duke thënë se përmes tij është shkatërruar programi bërthamor iranian në tri qendra Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Trump ka shtuar se tani “do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe industrinë e tyre të raketave. Do të zhduken plotësisht”. Sipas tij, ky program i raketave po kërcënon bazat amerikane në afërsi dhe aleatët rajonalë.
“Ky regjim do ta mësojë shpejt se askush nuk duhet ta sfidojë forcën dhe kapacitetin e ushtrisë amerikane”.
Trump i është drejtuar popullit iranian, duke i thënë se pasi të përfundojnë sulmet "merreni ju në dorë qeverinë tuaj".
“Është shumë rrezik jashtë, bombat do të lëshohen gjithandej. Kur të përfundojmë, merreni në dorë qeverinë tuaj, do të jetë e juaja dhe kjo do të mund të jetë ndoshta mundësia e vetme ndër gjenerata. Për shumë vjet e keni kërkuar ndihmën amerikane, por nuk e keni marrë atë. Asnjë president amerikan nuk ka pasur gatishmëri të bëhet ajo që po e bëj unë tani”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmi i përbashkët amerikano-izraelit kundër Iranit “do t’i krijojë kushtet për popullin guximtar të Iranit që të marrë fatin në duart e veta”.
“Ka ardhur koha për çdo segment të popullit në Iran që të heqë thundrën e tiranisë nga (regjimi) dhe të krijojë një Iran të lirë dhe paqedashës”, ka thënë Netanyahu përmes një deklarate.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka bërë të ditur se Irani ka nisur të kundërpërgjigjet me raketa në drejtim të shtetit të Izraelit dhe disa vendeve tjera në Lindje të Mesme.
Këto sulme përbëjnë përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindje të Mesme dhe i kanë zbehur shpresat për një zgjidhje diplomatike në mes të Teheranit dhe Uashingtonit lidhur me programin bërthamor.
Kosova ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe një pjesë të konsiderueshme të shteteve të Lindjes së Mesme, por jo edhe me Iranin, i cili nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.