Maqedonci i quan të “papërgjegjshme” deklaratat e gjeneralit serb për FSK-në
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka quajtur si “të pavërteta dhe të papërgjegjshme” deklaratat e kreut të ushtrisë serbe se shndërrimi në ushtri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të përbëjë kërcënim për komunitetin serb në vend.
Kreu i ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviq, kishte thënë për gazetën Politika se fuqizimi dhe modernizimi i FSK-së kishte “karakter kërcënues” për serbët e Kosovës dhe se “nuk i kontribuon paqes”.
Në një reagim në Facebook të hënën, Maqedonci i hodhi poshtë pretendimet e tij, duke thënë se FSK-ja është forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike.
Viteve të fundit, Kosova ka marrë ose blerë pajisje të ndryshme ushtarake kryesisht nga SHBA-ja, si dronët RQ-20 Puma, raketat Javelin dhe automjetet Humvee, në përpjekje për t’u ndërruar në ushtri.
“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, tha Maqedonci.
Maqedonci nguli këmbë se mandati i saj “është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”.
Ai shtoi se deklaratat e tilla “synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet”.
Serbët përbëjnë rreth 3.31 % të popullsisë në Kosovë, sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2024.
FSK-ja, edhe sot, duhet të marrë leje nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për të operuar në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë është serbe.
Ky kufizim u vendos nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2013, përmes një letre të dërguar shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe mbetet në fuqi.
Ndërkohë, shndërrimi i FSK-së në ushtri paritet të përfundojë në vitin 2028, sipas planit, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Tash për tash po zhvillohen kapacitetet ajrore, po forcohen regjimentet luftarake dhe po punohet për të plotësuar komponentin e rezervës me 3.000 pjesëtarë, pasi objektivi për 5.000 trupa të rregullta është arritur tashmë.
Gjithashtu, FSK-ja po përgatitet të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e planit për paqe në këtë rajon, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.