Serbia arreston një veteran të UÇK-së
Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci. Autoritetet serbe konfirmuan se Mit'hat Lozhani u arrestua nën dyshimet për krime kundër popullatës civile.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se i arrestuari është nga Peja dhe ai dyshohet për krime kundër popullatës civile.
Sipas tij, Mit'hat Lozhani është dërguar në ndalim prej 48 orësh dhe më pas do të dërhohet para Zyrës së Prokurorisë për Krime Lufte ku do t'i ngrihet aktakuza.
Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 "pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave". Në njoftim thuhet po ashtu se "si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve".
Ndërkaq, avokati kosovar Arianti Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.
Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.
Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.