Një shtetas i Kosovës, i përfshirë në operacionin ndërkombëtar kundër IPTV-së ilegale
Një shtetas i Kosovës dyshohet se është në mesin e anëtarëve të një grupi kriminal që thuhet se u kishte mundësuar miliona përdoruesve në botë qasje në mënyrë ilegale në kanale televizive përmes internetit (IPTV).
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar kundër këtij grupi.
Në njoftim, ajo tha se hetimet për këtë rast janë kryer në bashkëpunim me EUROPOL-in dhe prokurorinë e Katanias, në Itali.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B”, tha Prokuroria Speciale.
Në Kosovë, Prokuroria njoftoi se janë zhvilluar bastisje në dy lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Dragashit, nën dyshimet për dy vepra penale: Cenimi i të drejtave të autorit dhe shpëlarja e parave.
Gjatë këtij operacioni në Kosovë, autoritetet thanë se kanë sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ky operacion ndërkombëtar kishte për cak krimin financiar dhe piraterinë audiovuzive, që sipas tyre, kanë çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, “në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë”.
“Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.