Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka vdekur më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.
Ai ishte djali i një fermeri kikirikësh, i cili u bë presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe, për përpjekjet e tij për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare.
Carter - i cili ishte president nga viti 1977 deri më 1981 - vdiq në shtëpinë e tij në Plains, Xhorxhia, njoftoi djali i tij dhe Qendra Carter.
Presidencën e tij e dëmtoi kriza 444-ditëshe e pengjeve amerikane në Iran, si dhe një numër çështjesh të brendshme ekonomike.
Në garën për rizgjedhje në vitin 1980, Carter u mund nga Ronald Reagan.
Ai, megjithatë, ishte një nga ish-presidentët më aktivë në historinë e SHBA-së, me një karrierë të suksesshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe në programin e strehimit të organizatës “Habitat for Humanity”.
I lindur në vitin 1924 në shtetin juglindor të Xhorxhias - me nënën infermiere dhe babanë fermer kikirikësh - Carter nuk i harroi kurrë fillimet e veta.
Pasi ndoqi Akademinë Detare të SHBA-së, ku bëri punë pasuniversitare në fizikë bërthamore dhe punoi në zhvillimin e programit të nëndetëseve bërthamore të Amerikës, Carter u kthye në fermën e familjes, të cilën e shndërroi në biznes kikirikësh.
Ai ishte atje kur hyri në politikën lokale dhe u zgjodh përfaqësues i Senatit të Xhorxhias, përpara se të shërbente si guvernator i shtetit nga viti 1971 deri më 1975.
Gjatë mandatit si guvernator, Carter filloi t’i tregojë vlerat progresive që kishte mësuar nga prindërit e tij.
Ai kërkoi publikisht fundin e izolimit të afrikano-amerikanëve, rritjen e numrit të zyrtarëve afrikano-amerikanë në qeverinë e shtetit, si dhe promovoi arsimin dhe reformën në burg.
Pesë vjet më vonë, Carter - i cili ishte pak i njohur jashtë shtetit të tij - bëri një hap gjigant, duke fituar nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit 1976.
Ai e mposhti presidentin republikan, Gerald Ford, i cili kishte marrë detyrën nga Richard Nixon, pas skandalit Watergate.
Carter e bëri të qartë nga fillimi se presidenca e tij do të lobojë për të drejtat globale të njeriut.
“Unë shoh një botë shpresëdhënëse, një botë të mbizotëruar nga rritja e kërkesës për liritë themelore, për të drejtat themelore, për standardet më të larta të ekzistencës njerëzore”, tha ai.
“Ne jemi të etur për të marrë pjesë në formimin e kësaj bote. Por, ne nuk jemi të verbër ndaj mosmarrëveshjeve, e as rreziqeve të vazhdueshme, me të cilat përballemi”, tha Carter.
Një nga qëllimet e para të Carterit pasi u bë president, ishte të punonte për një traktat të dytë për kufizimin e armëve strategjike - i njohur si SALT II - me Bashkimin Sovjetik. Traktati u krijua me qëllim të kufizimit të mëtejshëm të armëve bërthamore të të dyja vendeve.
Negocimi i traktatit me udhëheqësin sovjetik, Leonid Brezhnev, ishte i vështirë, për shkak të kritikave të vazhdueshme të Carterit ndaj Kremlinit, në lidhje me të drejtat e njeriut.
Por, në qershor të vitit 1979, dy udhëheqësit e nënshkruan Traktatin SALT II. Senati i SHBA-së nuk e ratifikoi pas pushtimit sovjetik të Afganistanit, në dhjetor të vitit 1979, por kushtet e tij u respektuan nga të dyja palët.
Në përgjigje të pushtimit sovjetik, Carter shpalli atë që u bë e njohur si Doktrina e Carterit. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do t’i mbronin interesat e tyre në Gjirin Persik edhe me forcë ushtarake nëse do të ishte e nevojshme. Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, bojkotuan Lojërat Olimpike të vitit 1980 në Moskë.
“Kam njoftuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Moskës - përveç nëse forcat pushtuese sovjetike tërhiqen nga Afganistani para 20 shkurtit”, tha Carter në atë kohë. “Ky afat është nesër dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Por, ishte kriza e pengjeve amerikane në Iran ajo që do të vinte për të përkufizuar presidencën e Carterit.
Në vjeshtën e vitit 1979, iranianët - të pakënaqur me sundimin e Shahut Mohamed Reza Pahlavi - e rrëzuan atë dhe instaluan një udhëheqës të mërguar mysliman, Ajatollah Ruhollah Khomeinin, si lider të tyre të ri. Carter i dha azil politik Shahut të sëmurë - çfarë e rriti zemërimin e shumë iranianëve.
Në nëntor të vitit 1979, militantët iranianë që kishin mbështetjen e heshtur të Qeverisë së Khomeinit, sulmuan Ambasadën e SHBA-së në Teheran dhe morën peng 52 amerikanë. Ata kërkuan kthimin e Shahut dhe një kërkimfalje nga SHBA-ja.
Carter tha se SHBA-ja nuk mund të dorëzohet përballë kërkesave të pengmarrësve dhe kriza zgjati 444 ditë.
“Është thelbësore për Shtetet e Bashkuara dhe për çdo komb tjetër që jeta e personelit diplomatik dhe qytetarëve të tjerë të mbrohet, dhe që ne të refuzojmë të lejojmë përdorimin e terrorizmit dhe mbajtjen e pengjeve, për të imponuar kërkesa politike”, tha Carter.
“Askush nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë e Qeverisë amerikane dhe të popullit amerikan për këtë çështje”, shtoi ai.
Pas dështimit të negociatave me iranianët, Carter, në prill të vitit 1980, urdhëroi Forcat Speciale të SHBA-së që të përpiqen t’i shpëtojnë pengjet amerikane.
Misioni përfundoi në tragjedi - tetë ushtarë amerikanë vdiqën në aksidentin që e shkaktoi dështimi i pajisjeve.
Carter e njoftoi kombin për misionin e dështuar:
“Bashkëndjej zhgënjimin e popullit amerikan që ky mision shpëtimi nuk ishte i suksesshëm”.
“Gjithashtu, bashkëndjej pikëllimin e kombit tonë, sepse kemi amerikanë që vdiqën në këtë përpjekje për lirimin e bashkëqytetarëve të tyre, që mbahen peng për kaq kohë të gjatë”, tha Carter.
Kriza e pengjeve amerikane dhe paaftësia e Carterit për ta zgjidhur atë, dominuan lajmet në Amerikë gjatë vitit 1980 - vit i zgjedhjeve presidenciale.
Ai u mposht lehtësisht nga republikani Ronald Reagan, ish-aktor i Hollivudit.
Për ta goditur përfundimisht Carterin, Irani vendosi t’i lirojë pengjet më 20 janar të vitit 1981 - në ditën kur Carter la zyrën dhe Reagan u përurua si president.
Edhe pse mandati i tij presidencial shpesh u karakterizua si dështim, Carter kishte edhe pjesën e tij të triumfeve.
Ai krijoi një politikë efektive kombëtare për energjinë dhe nxiti krijimin e 8 milionë vendeve të reja të punës, edhe pse me koston e inflacionit të lartë. Ai, gjithashtu, përmirësoi funksionimin e Qeverisë federale të SHBA-së përmes reformimit të shërbimit civil.
Arritja më e madhe e Carterit si president i SHBA-së ishte Traktati i Paqes i vitit 1978 midis Egjiptit dhe Izraelit. Presidenti egjiptian, Anwar Sadat, dhe kryeministri izraelit, Menachem Begin, u shpërblyen më pas me Çmimin Nobel për Paqe.
Carter si ish-president u vlerësua gjerësisht për përpjekjet e tij për të sjellë paqe dhe dinjitet në botë.
Pasi u tërhoq nga politika, Carter zbuloi se ferma e tij e kikirikëve ishte shkatërruar nga ata që e mbikëqyrnin derisa ai ishte në detyrë.
Kështu, ai ofroi shërbimet e tij si monitorues zgjedhjesh dhe ndërmjetës i paqes në konflikte, ndërsa në vitin 1982 themeloi Qendrën Carter.
Ai, po ashtu, punoi për të siguruar strehim për të varfrit përmes organizatës “Habitat for Humanity” - një program privat që ofron ndihmë për nevojtarët, që duan t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre.
Në vitin 2002, Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqe, për punën e tij në diplomaci dhe në promovimin e drejtësisë sociale.
Carter e pranoi zyrtarisht çmimin në kohën kur Shtetet e Bashkuara po mobilizoheshin për pushtimin e Irakut. Ai iu referua përgatitjes ushtarake gjatë fjalimit të tij.
“Lufta, ndonjëherë, mund të jetë një e keqe e domosdoshme. Por, pavarësisht se sa e nevojshme është, ajo është gjithmonë e keqe, asnjëherë e mirë. Ne nuk do të mësojmë se si të jetojmë së bashku në paqe, duke vrarë fëmijët e njëri-tjetrit”, tha Carter.
Carter shpesh ishte fotografuar me një çekiç në dorë, duke punuar së bashku me vullnetarët tjerë në ndërtimin e shtëpive.
Shëndeti i tij u përkeqësua viteve të fundit, pasi një lloj kanceri iu përhap në tru dhe mëlçi.
Përgatiti: Valona Tela