Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, i cili është pezulluar nga ushtrimi i kompetencave pasi Parlamenti votoi për shkarkimin e tij, i mohoi akuzat për kryengritje, por tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesit, raporton agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar avokatët e tij.
"Presidenti do të paraqesë qëndrimin e tij në mënyrë të qartë dhe të drejtë në gjykatë. Ne nuk jemi të sigurt nëse seancat e shkarkimit do të jenë të hapura për publikun, por nëse janë, kjo është ajo që presidenti synon të bëjë", tha njëri nga avokatët e tij.
Yoon është i dyshuar për kryengritje nga Policia dhe Prokuroria.
Ligji i Koresë së Jugut lejon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë për këtë akuzë.
“Hetimi për çështjen e kryengritjes dhe seancat e shkarkimit janë dy çështje të ndara; dy ekipe të ndryshme ligjore do të trajtojnë secilin”, tha avokati.
Avokati i presidentit nuk mund të konfirmonte nëse Yoon do të merrte pjesë në seancën e marrjes në pyetje nga prokurorët më 21 dhjetor. Më 15 dhjetor presidenti nuk u paraqit për t'u marrë në pyetje.
Avokati theksoi se nuk kishte baza ligjore për rastin e kryengritjes, pasi presidenti nuk kishte tentuar të merrte pushtetin.
Sipas avokatit, nuk ka pasur incidente pas shpalljes së ligjit ushtarak afatshkurtër që mund të lidhej me kryengritje.
Më 14 dhjetor, Parlamenti i Koresë së Jugut votoi mocionin kundër presidentit Yoon duke e fajësuar për vendimin e tij për të shpallur ligjin ushtarak, i cili u pa si shkelje e Kushtetutës së vendit.
Gjykata Kushtetuese tani duhet të vendosë nëse do të mbështesë mocionin e shkarkimit ose do ta rivendosë atë në pozitën e presidentit.