Kosova e mbështet integritetin territorial të Ukrainës si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Përmes një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shprehu qëndrimin e saj se Republika e Kosovës kundërshtoi mbajtjen e “zgjedhjeve” më 11 nëntor, 2018, në të ashtuquajturën “Republika Popullore e Donjeckut dhe Luhanskut”, pasi që kjo, siç thuhet, është kundër frymës së Marrëveshjve të Minskut, të cilat rregullojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në atë rajon.
“Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se ky proces i jashtëligjshëm mund t'i minojë të gjitha përpjekjet e deritanishme për arritjen e paqes në rajon dhe thërret të gjitha palët të respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë jetike për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore për konfliktin e Ukrainës lindore”, thuhet në komunikatë.
Separatistë të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës mbajtën të dielën zgjedhje, të cilat u konsideruan si “të paligjshme” nga Kievi dhe Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se zgjedhjet e së dielës do të pengojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave qeveritare dhe separatistëve në lindje të Ukrainës, që ka vrarë më shumë se 10,300 persona, që prej prillit të vitit 2014.