Ka ndërruar jetë reprezentuesi i Kosovës në basketboll, Gazmend Sinani.
Në një njoftim për media, Federata e Basketbollit të Kosovës ka thënë se Sinani ka humbur jetën në një aksident në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
“Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Basketbollisti Sinani ishte 27-vjeçar. Pasi ka luajtur për grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e ka vazhduar në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës në basketboll.