Shuhet ëndrra e Kosovës për Botërorin 2026, pas disfatës kundër Turqisë
Kosova ka dështuar ta përmbushë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 - e cila do të ishte e para për të - pasi u mposht 1:0 nga Turqia në finale të plajofit për kualifikim të martën mbrëma në Prishtinë.
Kerem Akturkoglu e shënoi golin e vetëm për triumfin e Turqisë në Stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e çuar Turqinë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2002.
Në një natë me shi në kryeqytetin kosovar dhe në një ndeshje kryesisht të barabartë, dallimin e vetëm e bëri goli i sulmuesit të Fenerbahces në minutën e 53-të, kur ai shënoi nga afërsia pas një kundërsulmi të vizitorëve, pasi u asistua nga Orkun Kokcu.
Kosova pati fillim më të mirë të ndeshjes, duke krijuar dhe rrezikuar më shumë, posaçërisht kur Fisnik Asllani qëlloi shtyllën horizontale pasi goditja e tij nga rreth 20 metra largësi u devijua nga portieri Ugurcan Cakir.
Kombëtarja dardane më afër golit se kaq dhe në vazhdim të ndeshjes, me gjithë përpjekjet e mëdha dhe futjen e shumë sulmuesve të tjerë në lojë, si Edon Zhegrova, Milot Rashica e Albion Rrahmani, nuk arriti ta shmangë humbjen.
Kosova, e cila u pranua në FIFA vetëm 10 vjet më parë, nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një garë të madhe ndërkombëtare, si Kampionat Botëror apo Evropian.
Finalja e plajofit kundër turqve ishte më së afërmi që ajo ka arritur në historinë e vet relativisht të re.
Pritjet dhe trysnia për futbollistët ishin të mëdha pasi një vend i tërë ishte më sy kah ta pas fitores kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plajofit javën e kaluar.
Kjo u dëshmua edhe nga atmosfera në kryeqytet në ditët para ndeshjes dhe nga kërkesat e papara për biletë për ta parë ndeshjen në stadium.
Ndërkohë, Turqia, e cila po rikthehet në Botëror për herë të parë qëkurse kishte shkaktuar befasi në Kupën e Botës 2002 duke arritur në gjysmëfinale, do ta shijojë këtë garë për herë të tretë në historinë e vet.
Në Botërorin e kësaj vere, Turqia do të jetë pjesë e Grupit D, me kundërshtarë si SHBA-ja, Paraguai dhe Australia.