Një avion pasagjerësh i Azerbaijani Airlines, që u nis nga Bakuja për në Grozni të Rusisë, u rrëzua në perëndim të Kazakistanit, bëri të ditur Ministria e Transportit e Kazakistanit më 25 dhjetor. Autoritetet thanë se disa persona i kanë mbijetuar rrëzimit.
“Një avion që po kryente rrugëtimin Baku-Grozni u rrëzua afër qytetit Aktau. Avioni i përket kompanisë Azerbaijani Airlines”, tha ministria përmes një postimi në Telegram.
Azerbaijan Airlines, kompania kryesore ajrore e vendit, tha se avioni i llojit Embraer 190, ka bërë “një ulje emergjente” rreth 3 kilometra larg nga Aktau, që është një qendër e gazit dhe naftës në Detin Kaspik.
Mediat kanë raportuar se avioni i Azerbaijan Airlines ndryshoi rrugëtimin e tij për shkak të mjegullës në Grozni.
Ministria e Transportit e Kazakistanit tha se në bord ishin 67 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit. Sipas kësaj ministrie, në bazë të informacioneve fillestare, 25 persona kanë shpëtuar dhe 22 nga ta janë dërguar në spital.
Autoritetet në Kazakistan thanë se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për të shuar zjarrin që kaploi avionin.