Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave lokale në Kosovë kinse ky mision ka futur në listë të zezë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ua ka ndaluar hyrjen në objektin e Komunës së Leposaviqit.
“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në Kosovë. KFOR-i mban kontakte të rregullta me të gjitha palët kryesore”.
Misioni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme qe mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal.
KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë dhe është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Raportime të ngjashme për kinse ndalesë të vendosur nga KFOR-i për hyrjen e zyrtarëve të Kosovës në institucione të veri të vendit – të banuar me shumicë serbe - ka pasur disa herë brenda vitit.
Më herët gjatë javës, ambasadori amerikan në shkuarje në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se aktorë të huaj keqdashës synojnë ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike.
Edhe Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se fushatat dezinformuese shpërndahen qëllimshëm në Kosovë për t’i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike.
“Kemi fushata që kanë për qëllim të krijojnë mosbesim - sidomos në mesin e komunitetit serb - ndaj institucioneve publike në Kosovë dhe që synojnë të krijojnë një lloj perceptimi sikur në veri [të Kosovës] e kemi një situatë represioni të vazhdueshëm ndaj qytetarëve atje”.
Më herët gjatë javës në Prishtinë është mbajtur një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington.
Mes tjerash, në të është thënë se dezinformatat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejt në shoqëri, sidomos në kohë zgjedhjesh.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt të vitit tjetër.