Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar i Kosovës (OPKK) është hapur të mërkurën, më 19 qershor, në fshatin Rashincë të Komunës së Shtimes. Ai do të jetë i qasshëm për publikun nga 20 qershori. Organizata Astronomy Outreach of Kosovo (AOK) shpreson që kjo do të nisë një “epokë të re të integrimit, hulumtimit dhe kërkimit shkencor për popullin e Kosovës”. Më 20 qershor, në këtë observator janë planifikuar aktivitete të shumta, si vrojtimi i diellit me teleskop, punëtori për operimin e teleskopit, shfaqje shkencore në planetarium dhe vrojtim i qiellit gjatë natës.
Ndërtimi i Observatorit është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe komuna e Shtimës në vlerë prej 310.000 eurosh.