Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja Erda (emër i vënë nga Radio Evropa e Lirë që të ruajë identitetin e saj me gjithë lejen nga prindërit), nxënëse në një shkollë të mesme në Shkup, thotë se ajo ka qenë pre e bullizmit nga bashkëmoshatarët e saj për mënyrën se si është veshur.
“Unë e kam përjetuar njërën nga format e bullizmit lidhur me mënyrën se si vishem. Ka nxënës që paragjykojnë mënyrën e veshjes. Unë e kam përjetuar bullizmin në lëkurë, shoqëria më ka thënë se nuk është mirë t’i veshësh ato atlete se nuk janë ‘trending’, atë bluzë apo pantallona, nuk është mirë që çdo ditë t’i veshësh gjërat e njëjta, megjithëse nuk mendoj se veshja është ajo që të tregon si je. Duhet nga brenda të jesh njeri i mirë dhe jo [nga] mënyra si vishesh…”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Një tjetër gjimnazist nga Ohri, Marko (po ashtu emër i vendosur nga redaksia e REL-it me qëllim të ruajtjes së identitetit me gjithë lejen nga prindërit), thotë se që në fëmijëri ka qenë i bullizuar për shkak të mbipeshës.
“Isha viktimë e bullizmit. Unë si fëmijë që gjithmonë isha me trup më të plotë në lëkurën time e kam ndier bullizmin nga bashkëmoshatarët e mi”, thotë Marko.
Pasi kanë kërkuar ndihmë nga prindërit dhe në shkollë, këtyre dy të rinjve u është sugjeruar që t’i injorojnë fjalët që i lëndojnë nga bashkëmoshatarët e tyre, por kjo gjë ka qenë shumë e vështirë për ta duke i çuar madje edhe në depresion.
“Zakonisht, më thonë injoroji, por këtë nuk mund ta bëj pasi këta nxënës që bullizojnë i kam në klasë dhe e kam të pamundur t'i injoroj”, thotë Erda.
“Kur i dëgjoja komentet e pahijshme për peshën time trupore rashë edhe në depresion. Pasi ndihesha i pafuqishëm, u mbylla në vete dhe tani zgjedh me kë shoqërohem”, thotë ai.
Erda dhe Marko janë pjesë e të rinjve të shumtë, të cilët në shkollë ndihen të bullizuar.
Të dhënat e sondazhit që ka realizuar Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, ku janë përfshirë 2.000 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, kanë nxjerrë në pah se një në tre fëmijë është përgjigjur se nuk ndihet i sigurt në shkollë dhe një në katër fëmijë nuk di të dallojë se është viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve.
Rasti tragjik në Beograd i vrasjes së 8 nxënësve nga bashkëmoshatari i tyre, ka nxitur debatin për nevojën e identifikimit të rasteve të bullizmit dhe eliminimin e këtij fenomeni në mesin e të rinjve.
Madje, dhe vetë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, para gjimnazistëve është shprehur se ka qenë viktimë e bulizmit pasi nuk ka ditur të vallëzoj dhe për këtë është ngacmuar nga bashkëmoshatarët e tij si gjimnazist.
Ndërkaq, Gordana Bllazhevska-Spiridinova, psikologe në gjimnazin “Nikolla Karev” të Shkupit thotë se shqetësues është fakti që të rinjtë mes vete ofendimin e shohin si simbol i forcës dhe i dukjes sa më në hap me kohën.
“Nëse ngacmon, irriton bashkëmoshatarët, në atë rast je më i dukshëm, më ‘in’. Në këtë mënyrë dhunuesit stimulohen përderisa viktimat nëse ankohen në atë rast kjo merret si dobësi dhe ngacmohen më shumë pastaj. E keqja më e madhe është se ofendimet merren si vlerë, si diçka që tregon forcën e të rinjve dhe jo si diçka e shëmtuar”, thotë ajo.
Qeveria maqedonase: Më pak telefona në shkolla
Kurse, sociologët thonë se edhe në rastet që janë të vetëdijshëm për prezencën e bullizmit, nuk dinë se ku duhet adresuar.
Tatjana Stojanovska-Ivanova, sociologe, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e ndërgjegjësimit, sidomos nëpërmjet trajnimit të mësuesve për të ndihmuar fëmijët të raportojnë rastet e bullizmit është një nga mënyrat më efikase për të trajtuar këtë problem në shkolla.
“Nëse nisemi duke treguar shembujt që i kemi përjetuar ne personalisht, duke i inkurajuar të rinjtë të flasin për atë që përjetojnë në shkollë, ngacmohen për diçka se janë më ndryshe, ne do të arrijmë t’i ndihmojmë, si kuadër, mësimdhënës, prind po edhe shoqëri”, thekson ajo.
Njohësit e shëndetit mendor të fëmijëve theksojnë se ky lloj ngacmimi duhet parë përtej shfaqjes së agresivitetit mes të rinjve në kontekst të shkollave, pasi kjo çështje dëmton shëndetin publik ngase fëmijët e bullizuar më vonë shfaqin shenja agresivitet gjatë moshës madhore.
Për të parandaluar këtë fenomen, Ministria e Arsimit ka hapur një adrese e-maili për denoncimin e dhunës, ku kanë arritur dhjetëra denoncime nga e gjithë Maqedonia e Veriut që lidhen me raste të ndryshme dhune mes moshatarëve nëpër shkolla. Në mesin e tyre ka edhe ankesa për shfaqen e sjelljeve të dhunshme edhe nga ana e mësimdhënësve.