Një burrit iranian i është ngritur akuzë për “luftim kundër Zotit”, vepër e dënueshme me vdekje, pasi akuzohet se kishte vënë në zjarr një kosh plehrash, gjatë protestave në Teheran.
Agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, Mizan, raporton se, sipas një përfaqësuesi të Prokurorisë, më 7 nëntor, Sahand Nourmohammadzadeh e kishte shkaktuar një bllokadë në një autostradë në Teheran “duke i shembur rrethojat e autostradës dhe duke vënë në zjarr kosh plehrash dhe goma”.
Nourmohammadzadeh i ka mohuar këto akuza, duke thënë se një protestë ishte zhvilluar para dyerve të biznesit të tij në Teheran, ku i ishte vënë flaka koshit të plehrave. Por, ai tha se nuk ishte pjesëmarrës dhe nuk synonte të krijonte trazira.
Lajmi vjen pasi 227 ligjbërës nga gjithsej 290 në Parlamentin iranian kërkuan nga gjyqësori të miratohet dënimi me vdekje për disa protestues të arrestuar gjatë protestave në Iran.
Këto protesta janë nxitur nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në mes të shtatorit, e cila ishte arrestuar për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit. Ajo kishte vdekur dy ditë më vonë në paraburgim, me shenja të mavijosjes në fytyrë dhe trup.
*Video nga arkivi: Si po i kundërvihen vajzat regjimit të mullave
Shefi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei, më pas tha në një takim të Këshillit të Lartë Gjyqësor më 7 nëntor se ai ishte dakord me kërkesën e parlamentit dhe se disa protestues mund të ekzekutohen sipas parimit Qisas, apo ligjit hakmarrës.
Më herët, Mohseni Ejei kishte kërkuar nga gjyqtarët përgjegjës për trajtimin e rastit të të arrestuarve në protesta që të përmbahen nga dhënia e “dënimeve të lehta” për personat që ai i quajti “elementë kryesorë” të protestave.
Kleriku i ashpër Ahmad Khatami, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, iu drejtua gjithashtu zyrtarëve gjyqësorë në lidhje me protestuesit e arrestuar duke thënë se "rebelët" duhet të trajtohen në atë mënyrë që "të mos ketë dëshirë për të bërë trazira sërish".
Grupet e të drejtave të njeriut kanë denoncuar nxitjen për dënime të ashpra, duke vënë në dukje se të burgosurve politikë në Iran tashmë u mohohet qasja në shumë prej të drejtave të tyre, duke përfshirë përzgjedhjen e avokatit mbrojtës.
Më herët, një grup prej 40 avokatësh iranianë kishte publikuar një deklaratë duke thënë se sistemi gjyqësor “është bërë njëra nga forcat autoritare me praninë e zyrtarëve jo të pavarur dhe të pabindur dhe, për shkak të kësaj, një rrjet i korruptuar sundon fatin e vendit".
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator ka bërë që mijëra iranianë të dalin në rrugë për të kërkuar më shumë liri dhe të drejta të grave, në atë që raportohet si kërcënimi më i madh për qeverinë islamike që nga revolucioni i vitit 1979.
Agjencia e lajmeve HRANA tha se, deri më 5 nëntor, të paktën 318 protestues janë vrarë gjatë trazirave, përfshirë këtu 49 të mitur, përderisa forcat e sigurisë po tentojnë ta mbysin disidencën.