Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të shtunën 11 raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,658 mostrave.
Përgjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një viktimë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 26 qershor janë shëruar gjashtë pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 170.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,725 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,257 kanë vdekur.
Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 157,338 persona.
Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.
Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.