Pavarësisht bisedimeve me fuqitë botërore, Irani ka filluar me pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind pastërti.
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, u citua nga televizioni shtetëror të thoshte se shkencëtarët iranianë kishin filluar me sukses këtë proces.
Edhe kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Akbar Salehi, konfirmoi për agjencinë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim se "pasurimi i uraniumit në 60 për qind është duke u zhvilluar" në vendin bërthamor Natanz.
Irani ka filluar bisedimet në Vjenë të Austrisë me fuqitë botërore në përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila janë larguar Shtetet e Bashkuara, tre vjet më parë.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump pati deklaruar se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.
Më 13 prill Irani njoftoi se do të fillojë me pasurimin e uraniumit në shkallën 60 për qind, dy ditë pasi në uzinën Natanz ndodhi një incident që uli aftësinë e saj.
Irani ka fajësuar Izraelin për sulmin.
Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani ishte zotuar të mbante pasurimin në 3.67 për qind. Kohët e fundit ky vend e ka pasuruar deri në 20 për qind, duke thënë se marrëveshja nuk ishte më e zbatueshme.