Jetëgjatësia mesatare në Shtetet e Bashkuara u zvogëlua për një vit të plotë në gjysmën e parë të vitit 2020.
Sipas një raporti të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, jetëgjatësia për të gjithë popullsinë ra në 77.8 vjet.
“Kjo është një rënie e madhe”, tha dr Robert Anderson, shef i Statistikave të Vdekshmërisë pranë Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve.
Raporti tregon se rënie edhe më të mëdha të jetëgjatësisë ka midis grupeve të pakicave etnike.
Jetëgjatësia e burrave me ngjyrë është zvogëluar për tre vjet në periudhën janar-qershor, 2020, ndërsa e burrave hispanikë për 2.4 vjet, thuhet në raport.
“Duhet të ktheheni në Luftën e Dytë Botërore, në vitet 1940, për të gjetur një rënie si kjo”, tha dr Anderson.
Raporti thekson se vdekjet nga koronavirusi ishin një faktor kryesor që nxiti rënien e përgjithshme të jetëgjatësisë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 490,000 njerëz kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në SHBA.
Statistikat po ashtu kanë treguar se pandemia prek në mënyrë joproporcionale afrikano-amerikanët dhe komunitetet e tjera të pakicave në SHBA.
Amerikanët me ngjyrë kanë tri herë më shumë gjasa të vdesin nga koronavirusi, sesa amerikanët e bardhë, kanë njoftuar më herët Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA.