Lidhja Demokratike e Kosovës do ta përkrahë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa u përfshirë në ekipin negociator.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se kjo parti nuk do të bëhet pjesë e grupeve “informale” të cilat janë themeluar se fundmi nga ana e Kuvendit, por do të kontribojë me diskutime, si dhe do të vlerësojë në fund, nëse do të pranojë ose jo, ta votojë marrëveshjen e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.
“Çdo marrëveshje do të arrijë në Kuvend, dhe çdo marrëveshje nuk kalon me 59 vota, por kërkohen 80 vota, pra shumicë meritore për të miratuar një marrëveshje ndërkombëtare. LDK-ja do ta jap kontributin duke dhënë mendimin e vet nëse do ta ratifikojë ose jo këtë marrëveshje. Nëse do të kemi transparencë në dialog ne do të kyqemi, por nuk do të bëhemi pjesë në grupe të cilat për ne janë informale” tha Mustafa.
Kryetari i LDK-së, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, e vlerësoi lartë letrën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, drejtuar presidentit Hashim Thaçi. Mustafa tha se Lidhja Demokratike e vlerëson miqësinë dhe interesimin e Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, që procesi i dialogut të shkojë përpara dhe të jetë në interes të vendeve që janë pjesë e tij.