Shtetet e Bashkuara planifikojnë të luftojnë ndikimin ekonomik dhe politik të Kinës dhe Rusisë në Afrikë, ku të dyja kombet aplikojnë praktika biznesore të korruptuara me pak vëmendje në sundimin e ligjit, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters, bazuar në disa deklarata të përgatitura paraprakisht nga Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.
“Prioriteti i parë i Shteteve të Bashkuara do të jetë zhvillimi i marrëdhënieve diplomatike në këtë rajon për të krijuar mundësi për bizneset amerikane dhe për mbrojtje të pavarësisë së shteteve afrikane, duke përfshirë edhe interesat e sigurisë së SHBA-së”, është cituar të ketë thënë Bolton.
“Konkurentët e mëdhenj, Kina dhe Rusia janë duke zgjeruar ndikimin e tyre politik rreth Rusisë”, ka thënë ai.
“Ata janë duke shënjestruar investimet e tyre në këtë rajon për të fituar përparësi ndaj Shteteve të Bashkuara”.
Fjalimi i Boltonit në Institutin, Heritage Foundation, ka ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping janë duke synuar të ulin tensionet tregtare që kanë shkaktuar kaos në tregjet globale.
“Kina merret me ryshfet dhe arrin marrëveshje strategjike për borxhe, ashtu që t’i mbajë shtetet në Afrikë të pushtuara sipas kërkesave dhe dëshirave të Pekinit”, është shprehur Bolton.
Ai ka pasur fjalë të ashpra dhe për Rusinë.
“Rreth kontinentit, Rusia ka zgjeruar marrëdhëniet politike dhe ato ekonomike duke mos pasur parasysh dozën e përgjegjësisë apo transparencën”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar Moskën për shitje të armëve dhe energjisë në këmbim të votave në Kombet e Bashkuara.
Në muajin tetor, Trump ka nënshkruar një legjislacion që rregullon mënyrën si Qeveria federale ndan të holla për qeveritë e huaja, duke krijuar kështu një agjenci në vlerë të 60 miliardë dollarëve me qëllim të përgjigjes ndaj rritjes së ndikimit të Kinës.