Katër fuqi Perëndimore kanë dënuar Iranin për supozimet se ka shkelur një ndalim për armët në Jemen, një ditë pasi Rusia ka përdorur veton në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, e cila trajtonte çështjen e njëjtë për Teheranin.
Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur një deklaratë të përbashkët më 27 shkurt, duke thënë se dështimi nga ana e Iranit për të vepruar në përputhje me ndalimin për armët, siç është përcaktuar nga një panel i ekspertëve të OKB-së, muajin e kaluar, “përbën një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Të katër shtetet i kanë bërë thirrje Iranit, “që menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet”, të cilat janë në kundërshtim me rezolutën e OKB-së të vitit 2015, me anë të së cilës vendoset një ndalim për liderët e rebelëve huthi në Jemen.
Ekspertët e OKB-së, kanë ardhur në përfundim se Irani nuk është duke vepruar në përputhshmëri me ndalimin, sepse ka dështuar të parandalojë që raketat dhe dronët e prodhuar nga Irani, të arrijnë në duart e rebelëve shiit, të cilët janë aleatë të Teheranit.
Irani ka kundërshtuar furnizimin me armë për rebelët huthi.
Më 26 shkurt, Rusia ka përdorur veton në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me anë të së cilës dënohej Irani për shkeljet e supozuara, derisa ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzya i ka cilësuar këto përfundime, “të pambështetura”.
“Pavarësisht një mali të dhënash të besueshme dhe të pavaruara, që tregojnë se Irani ka shkelur ndalimin për armët në Jemen, duke rezultuar me një seri sulmesh që kanë pasur cak civilët, Rusia ka parandaluar llogaridhënien dhe ka rrezikuar gjithë rajonin”, ka thënë ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila ka premtuar se do të marrë hapa jashtë OKB-së, kundër Iranit.
Lufta në Jemen ka filluar më 2014, pasi rebelët huthi patën marrë kontrollin e kryeqytetin Saana duke detyruar largimin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, e cila më pas nga kërkuar mbështetje nga shtetet e Gjirit Arab.
Kombet e Bashkuara kanë fajësuar fushatën me bomba të Arabisë Saudite, për shumicën e dhunës dhe vdekjeve të më shumë se 10,000 banorëve të Jemenit.
Në këtë krizë janë shpërngulur 2 milionë persona, dhe kjo gjendje është cilësuar kriza më e madhe humanuitare në shtetin e varfër arab.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, ka bllokuar portat e Jemenit, duke synuar mposhtjen e rebelëve huthi.
Përmes një deklarate, fuqitë perëndimore u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që janë pjesë e konfliktit t’u kthehen bisedimeve për paqe dhe të veprojnë në përputhje me ligjet për të drejtat e njeriut, duke përshirë lejimin e transportimit të ushqimit dhe produkteve mjekësore në të gjitha portet dhe aeroportet.