Një gjykatë turke tha të premten se ka anuluar një dekret qeveritar të vitit 1934 përmes së cilit ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë ishte kthyer në një muze.
Gjykata, vendosi se dekreti ishte i paligjshëm, duke i hapur rrugën kthimit të ndërtesës në xhami, përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizjeje të tillë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në ndërtesën që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që mbikëqyret nga Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Erdogan nënshkroi dekretin për kthimin e muzeut në xhami.
Objekti është një nga monumentet më të vizituar në Turqi.
Katedralja ortodokse ishte shndërruar për një periudhë të shkurtër kohore, 1204-1261, në kishë katolike.
Më vonë, më 1453, pas pushtimit të Konstandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II, ky objekt ishte kthyer në xhami, duke shtuar katër minare në të.
Statusi i saj është ndryshuar në muze, sipas një dekreti të vitit 1934.
Më herët, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë që të ruajë statusin e muzeut për këtë objekt.